Konfirmohet rasti i parë me variantin afrikan të Covid në Kosovë

Kosova konfirmoi të martën, 8 qershor një rast të infektimit me variantin afrikan të koronavirusit të ri.

I njohur edhe si varianti "Beta" nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, mutacioni i virusit SARS-CoV-2 u gjet rastësisht te një pacient mes mijëra mostrave të analizuara gjatë ditës.

Lloji afrikan i koronavirusit vlerësohet se përhapet më shpejt se i zakonshmi.

"Pacienti është i hospitalizuar dhe duke u trajtuar në Klinikën Infektive. Duke qenë se tashmë rasti është kontaktuar, do të hulumtohen kontaktet për identifikimin eventual të rasteve të reja," njoftoi Instituti i Shëndetësisë Publike i Kosovës.

Instituti apeloi qytetarët të vazhdojnë të respektojnë masat kufizuese për grumbullimet, të mbajnë maskat e distancat dhe të ruajnë higjienën për t'u mbrojtur nga pandemia.

Kosova nisi fushatën e vaksinimit në muajin mars dhe po vëren një trend në rënie të rasteve pozitive me kovid-19.

Imunizimi po kryhet me vaksinat e dhuruara nga programi COVAX i OBSH-së dhe nga Bashkimi Europian, ndërsa mbi 1 milion doza janë porositur nga prodhuesi i vaksinave, "Pfizer".

Rreth 105 mijë persona në vend e kanë kaluar sëmundjen, por ajo u ka kushtuar jetën të paktën 2,245 banorëve të Kosovës.