Masakra e Srebenicës/ Vendimi mbi apelin e ish komandantit serb Mlladiç
Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara do të vendosin sot, mbi thirrjen e e ish-komandantit të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç kundër dënimit të tij për gjenocid për masakrën e Srebrenicës 1995, akti më i keq i gjakderdhjes në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Gjykata e Hagës do të japë vendimin përfundimtar mbi të ashtuquajturin "Kasapi i Bosnjës", i cili u dënua me burgim të përjetshëm në 2017 për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnjë 1992-1995.
Mlladiç, edhe pse i moshuar, vazhdon me shpërthimet në sallat e gjyqit kundër NATO-s dhe Perëndimit. Ai pritet të jetë në sallë për të dëgjuar gjykimin e lexuar këtë pasdite.
Nënat e disa prej 8,000 burrave dhe djemve kryesisht myslimanë të vrarë, kur trupat serbe të Bosnjës pushtuan Srebrenicën do të jenë ndërkohë jashtë gjykatës në Hollandë ,ku kanë bërë demonstrata për drejtësi.

"Ne do të shkojmë në Hagë për të parë ekzekutuesin në sy edhe një herë ndërsa ai është dënuar përfundimisht," i tha AFP Munira Subasic, presidente e një prej shoqatave "Nënat e Srebrenicës".
Në 2017-ën Mlladiç u shpall fajtor për krime lufte dhe gjenocid, dhe u dënua me burgim të përjetshëm, për rolin që luajti për spastrimin etnik të myslimanëve dhe kroatëve të Bosnjës në vitet 1992-1995, ku kur u vranë rreth 8,000 burra dhe djem muslimanë boshnjakë.
Mlladiç denoncoi gjykatën, duke e quajtur atë 'fëmijë' të fuqive perëndimore.
Avokatët e tij kanë argumentuar se ai ndodhej shumë larg Srebrenicës në kohën e masakrës.
Gjatë gjithë kohës Mlladiç ka sulmuar gjykatën edhe prokurorin.
Duke folur për Srebrenicën, ai tha se kishte nënshkruar një marrëveshje me ushtrinë myslimane boshnjake për ta nderuar atë dhe zonat e tjera të mbrojtura dhe kërkoi, të mos shpallej fajtor për krimet e këtyre zonave.
Masakra e Srebrenicës, e kryer në një enklavë që supozohej të ishte nën mbrojtjen e KB, ishte mizoria më e keqe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Mlladiç, i njohur si "Kasapi i Bosnjës", ishte një nga të dyshuarit e fundit që u përball me gjyqin në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë.
Procesi kundër Mlladiqit ka nisur më 16 maj të vitit 2012.
Aktakuza kundër tij është ngritur më 24 korrik, 1995.
Pasi ka kaluar gati 16 vjet në arrati, ai është arrestuar në Serbi më 26 maj, 2011, dhe është transferuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë më 31 maj, 2011.
Gjyqi ka nisur në vitin 2012 dhe ka zgjatur gjithsej 530 ditë.

Në 2016, e njëjta gjykatë dënoi ish- udhëheqësin serb të Bosnjës Radovan Karadzic për planifikimin e masakrës së Srebrenicës, ndër krime të tjera.
Dënimi i tij fillestar 40-vjeçar për gjenocid dhe krime lufte u rrit më vonë në burgim të përjetshëm.
