Gjendet një trup i pajetë në Ulqin, dyshohet se është ish-shefi i Policisë Rudolf Elezoviç

Një trup i pajetë është gjetur nga Policia Malazeze mbrëmjen e së martës në ishullin e vogël të Shën Gjergjit afër qytetit të Ulqinit. Mediat vendase e lidhin ngjarjen me zhdukjen e ish-shefit të policisë së Ulqinit, Ruldof Elezoviç i zhdukur që nga data 27 maj. Sipas mediave trupi I pa jetë mendohet të jetë I ish oficerit ndërkohë që të njëjtat burime kanë konfirmuar jo-zyrtarisht se shkaku i vdekjes ende nuk është përcaktuar, edhe pse paraprakisht dyshohet për vetëvrasje.

Zhdukja e Elezoviç u raportua nga bashkëshortja e tij Marina Elezovic, ndërsa ai kishte humbur çdo kontakt me të afërm teksa ndodhej në kufirin mes Malit të Zi dhe Shqipërisë. Në hetimet për këtë ngjarje veç autoriteteve malazeze u angazhuan edhe autoritetet shqiptare në Shkodër, pasi së fundmi Elezoviç ishte i përfshirë në një hetim kundër trafikut të drogës nga Shqipëria në Mal të Zi dhe vendet e tjera.

Mediat malazeze kanë shkruar më herët se Elezoviç, mund të ishte arratisur nga Shqipëria me dokumente false drejt shteteve të Bashkuara, për shkak se ai e kishte kuptuar se ishte dekonspiruar për lidhjet e tij me krimin e organizuar.

Për Elezoviç, janë hedhur dyshime se ai krahas punës si polic, ishte dhe informator tek grupet kriminale, ndërsa aksioni më i bujshëm që mund ta ketë dekonspirtuar Elezoviç është “Kurthi”.

Ende nuk dihet nëse zbulimi i tij nga autoritetet se ai është bashkëpunëtor me krimin e organizuar, mund të ketë çuar në vetëvrasjen e Elezoviç, ndërsa pritet që autoritetet malazeze të dalin në një deklaratë për të sqaruar nëse trupi i gjetur i përket Ish-zyrtarit të lartë të policisë, dhe pistat e hetimit për vetëvrasjen ose vrasjen e mundshme të tij.