Serbia e Milosheviçit kreu gjenocid, "kasapi i Bosnjes" do vuajë dënimin me burgim të përjetshëm

Ratko Mlladiç është “kasapi i Ballkanit“ dhe ka përgjegjësi në krimet që janë kryer në Serbrenicë. Është ky vendimi përfundimtar i Gjykatës së Hagës për ta dënuar përjetësisht ish-komandantin serb të Bosnjes Ratko Mlladiç.

Masakra e Serbrenicës në korrik të vitit 1995 është genocid dhe krim kundër njerëzimit.

Apeli i Hagës ka vendosur këtë të martë (8 qershor) se Ratko Mladiç është fajtor për këtë gjenocid.

Ish-komandanti serb i Bosnjes Ratko Mlladiç ka humbur apelimin që kishte bërë ndaj dënimit të dhënë në 2017-ën për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjykata konfirmoi dënimin e tij të përjetshëm për rolin që kishte në vrasjen e rreth 8,000 burrave dhe djemve muslimanë boshnjakë në Srebrenicë.

5 gjykatësit e Apelit thanë se nuk ka prova që të tregojnë se Mlladiç nuk është "kasapi i Bosnjes".

Por, nëse për boshnjakët dhe drejtësinë ndërkombëtare Mlladiçi ka kryer gjenocid, për disa serbë të Bosnjes ai është hero.

Disa dhjetëra serbë u mblodhën mbrëmjen e së hënës, një ditë përpara vendimit të Apelit, në një shesh në Bratunac, afër Srebrenicës, për të parë një film në lidhje me Gjeneralin Ratko Mlladiç që e portretizon atë si një "hero".

Masakra e Serbrenicës, një enklavë që supozohej të ishte nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara, sipas opinionit publik ndërkombëtar ishte mizoria më e rëndë në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Gjatë shembjes së ish-Jugosllavisë makineria gjenocidale e Milosheviçit shkaktoi mijëra viktima në rajon.

Së fundmi, autoritetet në Kosovë kanë njoftuar një padi për gjenocid ndaj Serbisë, për krime të kryera sipas tyre gjatë luftës për liri të viteve 1998-1999.