Kurti merr dozën e dytë të vaksinës për Covid-19

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka marrë dozën e dytë të vaksinës të prodhuar nga AstraZeneca.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë, përmes një njoftimi në Facebook.

“Në sallën e sporteve “1 Tetori”, në Prishtinë, dozën e dytë të vaksinës Astra-Zeneca e mori edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti”, thuhet në njoftimin e MSH në Kosovë.

Më tej Ministria e Shëndetësisë , bën me dije se ka përfunduar vaksinimi me dozën e dytë të vaksinës AstraZeneca për qytetarët që dozën e parë e kanë marrë në Kukës.

"Ka vazhduar edhe sot procesi i vaksinimit kundër COVID-19, në përputhje me të gjithë parametrat e cilësisë dhe sigurisë nga ekipet e trajnuara në të gjithë vendin. Tashmë është kryer vaksinimi me dozën e dytë të vaksinës Astra-Zeneca për qytetarët të cilët e kanë marrë dozën e parë të vaksinës në Kukës. Ndërsa sot ishte dita e parë e vaksinimit me dozën e dytë për qytetarët që janë vaksinuar në Kosovë.”

Albin Kurti ka marrë dozën e parë të vaksinës më 29 Mars.