Biden e cilëson gjykim historik vendimin për Mladiç: Kush kryen krime të tmerrshme do mbajë përgjegjësi
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka mirëpritur vendimin e gjykatës për të lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, i akuzuar për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sipas Biden, “ky gjykim historik tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi. Ai gjithashtu përforcon vendosmërinë tonë të përbashkët për të parandaluar që mizori të tilla të ndodhin në të ardhmen kudo në botë”.
Në një komunikatë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë thuhet se Shtetet e Bashkuara ndihmuan në udhëheqjen e përpjekjeve ndërkombëtare për t'u dhënë fund mizorive në Bosnjë dhe Hercegovinë, për të vënë para drejtësisë ata që kryen krime atje dhe në pjesë të tjera të ish Jugosllavisë dhe për të vendosur një paqe të qëndrueshme.
“Drejtësia dhe pajtimi janë themeli i paqes dhe qëndrueshmërisë për të ardhmen, dhe vendimi i sotëm është gjithashtu një konfirmim i rëndësishëm se kjo është e mundur. Unë sinqerisht shpresoj se udhëheqësit në rajon do ta respektojnë këtë gjykim dhe do të përforcojnë rëndësinë e tij për sundimin e ligjit”, citohet të ketë thënë presidenti Biden.
“Mendimet e mia sot janë me të gjitha familjet e mbijetuara të shumë viktimave të mizorive të Mladiçit. Ne kurrë nuk mund ta zhbëjmë tragjedinë e vdekjes së tyre, por shpresoj që gjykimi i sotëm të sigurojë një farë ngushëllimi për të gjithë ata që janë të pikëlluar”, thuhet në deklaratën e presidentit Biden.
Vendimi i sotëm i apelit shënon edhe përfundimin e ndjekjeve penale të Kombeve të Bashkuara për krimet e kryera në luftën e Bosnjë që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë dhe miliona të zhvendosur.
Kosova eksperimenton, humbet miqësoren ndaj Guinesë
8 Qershor, 17:59
Ratko Mladiç, i akuzuar në vitin 1995 nga Gjykata për Krime luftë në hapësirat e ish Jugosllavisë kishte qëndruar në Beograd në vitet e para pas ngritjes së akuzave ndaj tij, ndërsa ishte fshehur pas rënies së presidentit serb Sllobodan Millosheviç në vjeshtën e vitit 2000.


