Firmos Biden: Kush destabilizon Balkanin i bllokohet pasuria dhe nuk hyn në SHBA, futet në listë dhe Shqipëria
Pak ditë pas shpalljes "non grata" të ish-kryeministrit Sali Berisha nga DASH, Presidenti i SHBA-së ka firmosur një urdhër ekzekutiv për bllokimin e pasurisë dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të të gjithë atyre personave që kontribuojnë në destabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor.
Urdhri ekzekutiv zgjeron kriteret për ndëshkimin e personave që merren me veprimtari, ndër të tjera, të cilat kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të çdo zone ose shteti të Ballkanit Perëndimor; cenojnë proceset ose institucionet demokratike; abuzojnë rëndë me të drejtat e njeriut dhe janë të përfshirë direkt ose indirekt në korrupsion, prej lidhjeve me një qeveri të Ballkanit Perëndimor ose në rastin e çdo zyrtari aktual ose të dikurshëm, në çfarëdo niveli qeverie, i cili ka përvetësuar asete publike, asete private për fitime personale ose qëllime politike, ose ryshfeti,” thekson urdhri i presidentit Bajden.
Me dekret presidencial, këtyre personave do u bllokohen pronat dhe pasuritë që kanë aktualisht ose duan të kenë në Shtetet e Bashkuara, deri në një vendim tjetër të Departamentit të Thesarit dhe Departamentit të Shtetit.
Urdhri, i cili është publikuar sot në 8 qershor nga Shtëpia e Bardhë përmend ish-Republikën Jugosllave dhe Shqipërinë dhe është shpërndarë nga ambasadorja amerikanë në Shqipëri, Yuri Kim.
"Unë, JOSEPH R. BIDEN JR., President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes kësaj deklarata zgjeroj fushën e emergjencës kombëtare të deklaruar në Urdhrin Ekzekutiv 13219 të 26 Qershorit 2001 (Bllokimi i Pronës së Personave që Kërcënojnë Përpjekjet Ndërkombëtare të Stabilizimit në Ballkanin Perëndimor) duke evidentuar se situata në territorin e ish-Republikës të Jugosllavisë dhe Republikës së Shqipërisë gjatë dy dekadave të fundit, duke përfshirë minimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës, si dhe korrupsionin e përhapur brenda qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Balkanin Perëndimor, pengon progresin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike, dhe në këtë mënyrë përbën një kërcënim i pazakontë dhe i jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara".
Me anë të këtij vendimi Biden urdhëron:
"E gjithë prona dhe interesat që ndodhen në pronën e Shteteve të Bashkuara ose në zotërimin ose kontrollin e ndonjë personi nuk mund të transferohen, paguhen, eksportohen, tërhiqen ose tregtohen ndryshe në: çdo person i përcaktuar nga DASH, në konsultim me Sekretarin e Shtetit".
(ii) do të jetë përgjegjës ose bashkëpunëtor, ose i përfshirë drejtpërdrejt ose indirekt në veprime ose politika që minojnë proceset demokratike ose institucionet në Ballkanin Perëndimor;
(v) do të jetë përgjegjës ose bashkëpunëtor për keqpërdorim të pasurive publike, shpronësimin e pasurive private për përfitime personale ose qëllime politike, ose ryshfet;
(vi) nëse ka asistuar materialisht, sponsorizuar ose ofruar mbështetje financiare, pasuria dhe interesat e tij do të bllokohen në përputhje me këtë urdhër.
Ndërkohë ambasadorja Kim ka evidentuar edhe pikat ku duhet të theksohet vëmendja në deklaratën e lëshuar drejtpërdrejt nga Shtëpia e Bardhë.
“Presidenti Joe Biden ka zgjeruar fushëveprimin e OE 13219 (Bllokimit të Pronave të Personave që Kërcënojnë Përpjekjet Stabilizuese në Ballkanin Perëndimor) për të përfshirë Shqipërinë. Lufta ndaj korrupsionit është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të SHBA,”-shkruan Kim.
Sekretari i Shtetit, Entoni Blinken, në një deklaratë të vetën shtoi se personave gjithashtu nuk u lejohet më hyrja në SHBA.
"Për t'i adresuar më mirë rrjetat korruptive që shtrihen në gjithë rajonin, edhe Shqipëria do të jetë subjekt i urdhrit ekzekutiv," deklaroi Blinken.
