BE-ja mirëpret vendimin për Mladiç: Të gjithë aktorët politikë të respektojnë vendimet e gjykatave
Vendimi ndaj Ratko Mladiçit, u mirëprit nga zyrtarë të lartë të BE-së të cilët thanë se mohimi i gjenocidit, revizionizmi dhe madhërimi i kriminelëve të luftës bien ndesh me vlerat më themelore evropiane.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borell dhe Komisionari Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, thanë se institucionet evropiane presin që të gjithë aktorët politikë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Ballkanin Perëndimor të respektojnë vendimet e gjykatave.
“Vendimi i sotëm është një mundësi për udhëheqësit në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në rajon, për të hapur rrugën për nderimin e viktimave dhe për të promovuar një mjedis të favorshëm për pajtim, për të tejkaluar trashëgiminë e luftës dhe për të ndërtuar paqen e qëndrueshme”, thuhet mes tjerash në një reagim të shefit të politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe komisionarit për zgjerim, Oliver Varhelyi.
Ndërsa sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, tha se Mbretëria e Bashkuar kishte luajtur një rol kryesor në vënien para drejtësisë të Ratko Mlladiqit dhe kriminelëve të tjerë të luftës për krimet e kryera në Ballkanin Perëndimor.
Nga Serbia ende nuk ka pasur asnjë reagim.

