Ardi Veliu thërret në mbledhje urgjente drejtuesit DVP: Drejtorët e shefat e komisariateve të ikin nëse s'reagojnë
Ngjarjet e fundit kriminale, kanabizimi i vendit por edhe një sërë problematikash që lidhën me rendin dhe sigurinë publike u bënë shkak për një takim me tone të ashpra mes drejtorit të Policisë, Ardi Veliu dhe vartësve në gjithë vendin. Për shkak të situatës problematike në vend, kreu i policisë paralajmëroi se çdo titular drejtorie dhe komisariati do të largohet nëse nuk ka reagim në zbulimin e ngjarjeve dhe parandalimin e krimeve.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka mbledhur në një takim shefat e sektorëve kryesorë rë strukturave të rendit, drejtorët e qarqeve dhe shefat e komisariatit në një analizë lidhur me situatën kriminale në vend pas rritjes së krimeve ndaj personit dhe vrasjeve në familje gjatë muajve të fundit.
Zyra e shtypit e Policisë së Shtetit tha se objekt i takimit ishin ngjarjet e fundit në fushën e krimit ndaj personit dhe të dhunës në familje.
Pas takimit me tone të forta me vartësit, drejtori i Policisë, Ardi Veliu, nuk preferoi të komentojë.
Sipas burimeve, kreu i Policisë ka kërkuar reagim të menjëhershëm të strukturave policore, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, që tentojnë të kultivojnë apo trafikojnë lëndë narkotike dhe atyre që kryejë ndërtime pa leje apo krime të tjera mjedisore.
"Të rritet efikasiteti i veprimeve për parandalimin e kultivimit të kanabisit në territor, duke bashkëpunuar me të gjithë aktorët dhe faktorët që ligji i ngarkon me përgjegjësi dhe të ushtrohet kontroll i përditshëm i territorit duke përdorur dronët, si dhe duke marrë të dhënat nga monitorimi ajror i GdF-së.
Strukturat e Policisë në të gjithë vendin, por sidomos në zonat bregdetare, zonat urbane dhe ato të mbrojtura, të veprojnë me tolerancë zero ndaj ndërtimeve pa leje duke proceduar me arrestimin e atyre që kryejnë këto ndërtime.Qëndrimi i mëtejshëm në detyrë i secilit prej drejtuesve të strukturave vendore do varet nga reagimi i strukturave që keni në menaxhim, nga rezultati i parandalimit të veprimtarisë kriminale në cilëndo fushë që ajo do shfaqet” mësohet të ketë thënë Veliu.
Ky është takimi i parë i këtij formati që zhvillohet pas zgjedhjeve të 25 prillit, teksa edhe këtë të mërkurë forca të shumta të policisë ndodhen në terren për gjurmimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të kultivimit të bimëve narkotike.
