Sot votohet shkarkimi i Presidentit Ilir Meta në Kuvend, duhen 94 vota

Në tentativën e dytë, socialistët janë të vendosur për t’i shkuar deri në fund shkarkimit të Ilir Metës nga posti i Presidentit, duke vendosur edhe precedentin e parë në historinë e parlamentarizmit.

Kuvendi i Shqipërisë, do të mblidhet në orën 10;00, ku do të miratojë raportin dhe propozimin e komisionit hetimor për largimin e parakohshëm të Presidentit nga institucioni me argumentin se ka shkelur rëndë Kushtetutën.

Mazhoranca, e cila mori edhe këtë nismë për shkarkimin e Metës, kërkon 94 vota pro raportit të këtij komisioni, ndërkohë nga ana tjetër Presidenti nuk e ka njohur këtë nismë të mazhorancës, madje e ka cilësuar nul dhe anti kushtetuese.

PS do t’i duhen 94 vota, kartona të cilat do t’i kërkojë tek deputetët që PD dhe LSI lanë pas djegies së mandateve që nuk e kanë fshehur vullnetin e tyre përgjatë dy viteve për t’i dhënë OK mazhorancës në çdo nismë të saj.

Lefter Maliqi dhe Artur Roshi janë deklaruar kundër shkarkimit të Presidentit Meta, duke e konsideruar kryeministrin Edi Rama si babain e një pushteti të vjedhur. Të dy deputetët e konsideruar qesharake dhe estradë seancën e ditës së sotme.

Pavarësisht vendimit politik të Parlamentit, do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të thotë fjalën e fundit nëse Ilir Meta e ka shkelur rëndë Kushtetutën apo jo dhe nëse deklaratat e tij kanë pasur pasoja. Kushtetuesja brenda një afati 3 mujor duhet të marrë vendim për ta kaluar votimin e parlamentit në seancë shqyrtuese.

Kjo është nisma e dytë për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra.

Sakaq ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur nga vetë Meta, duke e quajtur antikushtetues dhe antiligjor. Meta edhe pse është thirrur nuk ka pranuar të shkojë në asnjë mbledhje të komisionit.