"Ju na dhuruat një mbretëreshë, ne golshënuesin më të mirë", batuta e Ramës në Hungari, Orban flet për demokraci të gjalla
Kryeministri, Edi Rama, merr mbështetjen e kryeministrit konservator hungarez Viktor Orban për anëtarësimin e Shqipërisë në BE pa parakushte të tjera. Përkushtimin, Orban e konsideroi si mesazh politik ndaj BE-së dhe tha se pa ofruar mundësi anëtarësimi të Ballkanit nuk ka stabilitet.
Hungaria do të jetë krah Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Kryeministri, Viktor Orban, siguroi kreun e qeverisë shqiptare, Edi Rama, gjatë një vizite që ky i fundit zhvilloi në Budapest, se është i përkushtuar që Shqipëria të anëtarësohet pa kushte në union.
Orban: Dua t'u prezantoj kryeministrin e Shqipërisë i cili është një mik i madh i Hungarisë. Prej shumë kohësh kemi nisur bashkëpunimin dhe vizita e tij është një vlerësim i madh për Hungarinë, është kryeministër që ka fituar tri herë zgjedhjet njëra pas tjetrës. Tri zgjedhje të njëpasnjëhshme është diçka e jashtëzakonshme në politikën europiane sidomos nëse lufta politike është e fortë dhe në demokracitë e gjalla si ajo e Shqipërisë dhe Hungarisë, lufta poliktike është shumë shumë e fortë me debate dhe e gjallë.
Dua tu përgëzoj për suksesin dhe fitoren tuaj. Çështjet që kemi diskutuar sot së pari është bashkëpunimi politik midis dy vendeve. Po i afrohemi 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënies diplomatike midis dy vendeve dhe duam ta festojmë bukur dhe të kemi një jubile politik të rrethuar me kulturë. Ramë dakord që nuk ka dallime në politikën e jashtme midis dy vendeve. Ajo që është më e rëndësishme është zgjerimi i BE dhe anëtarësimi i Shqipërisë.
Ne hungarezët jo vetëm jemi mbështetës por jemi mjaft të angazhuar dhe të përkushtuar që ta ndihmojmë Shqipërinë të bëhet pjesë e BE jo vetëm sepse kjo motivohet nga simpatia jonë por edhe nga interesi ynë. Jemi të bindur që pa ofruar mundësi anëtarësimi për këtë pjesë të kontinentit europian nuk mund të stabilizohemi qoftë sa i takon ekonomisë apo edhe aspektit politik në atë pjesë. Shqipëria do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në të ardhmen tonë të përbashkët europiane.
Më pas u konsultuam dhe negociuam për çështjet ekonomike. Jemi mjaft të lumtur që qemë në gjendje të gjejmë atë projektin kryesor që është banka OTP që në fakt u mirëprit nga qeveria shqiptare për të nisur veprimtarinë në Shqipëri. Kemi investimin e parë të madh në Shqipëri dhe mësimi që kemi nxjerrë gjatë këtyre viteve është që projekti kryesor i parë është i rëndësishëm, e ku vjen anija e parë, të tjera anije shfaqen në ujë dhe do të kemi investues të tjerë të cilët do të jenë të pranishëm në vend.
Ky ishte kuadri i takimit. Dua të theksoj edhe njëherë, që është mesazhi kryesor politik sot, Hungaria është plotësisht e përkushtuar ndaj Shqipërisë për të arritur anëtarësimin sa më shpejt të jetë e mundur pa parakushte të tjera. Hungaria do të bëjë maksimumin.

Kryeministri Edi Rama njoftoi se bashkëpunimi me qeverinë hungareze nuk do të përqëndrohet vetëm në sektorin e ekonomisë por edhe në atë të arsimit dhe kulturës.
Rama: Ishte jo vetëmn kënaqësi, por ishte një nder që të isha mik i kryeministrit sot dhe të kisha mundësi të shkëmbeja me të pikëpamje për temat që përmendi kryeministri por sëpari dhe mbi të gjitha për ti kërkuar mbështetje dhe ndihmë në rrugëtimin e zhvillimit, modernizimit dhe integrimit.
Hungaria është një vend ku ka shumë dije, ku ka përvoja të pabesueshme mbresëlënëse, tranformuese, ku ka shumë për të mësuar. I jam mirënjohës kryeministrit për disponibilitetin e tij bujar për të na dhënë të gjithë mbështetjen e nevojshme për të pasur këtë transferim të dijes sepse duam të bashkëpunojmë jo vetëm në bashkëpunimin dypalësh ekonomik por gjithashtu në atë kulturor dhe arsim.
Atë çka Hungaria ka bërë vitet e fundit për të përmirësuar arsimin, për të mbështetur të rinjtë dhe talentet, për të inkurajuar familjet që ta shohinn të ardhmen e vet me sa më shumë shpresë është frymëzuese. Pres me padurim të përforcojmë këtë bashkëpunim.
Miqësia jonë është e vjetër tashmë por miqësia shqiptaro-hungareze është shumë më e vjetër sesa mendojnë njerëzit. Ju na dhuruat një mbretëreshë, ne ju kemi dhuruar golshënuesin më të mirë të Ferencvaros. Ka shumë më tepër për të bërë.
Pas një marrëveshje të arritur mes dy qeverive, shqiptarët e vaksinuar do të mund të udhëtojnë lirisht dhe pa kufizime në Hungari, të njëjtën të drejtë e gëzojnë edhe turistët hungarezë.