Dialogu Kosovë-Serbi, Plaka: Një nga sfidat më të mëdha të BE-së

Gjatë kësaj jave pati një vizitë të gjatë si në Prishtinë edhe në Beograd nga dy përfaqësuesit Palmer dhe Lajçak. Analisti Armand Plaka i ftuar në studion e RTV Ora me gazetarin Xhoi Malësia u shpreh se ky është një hap pozitiv dhe më në fund ka një gjuhë të përbashkët  mes Washingtonit dhe Brukselit. Gjithsesi, analisti Plaka thotë se nuk duhet të shpresojmë me shpejtësi.

Plaka: "Unë e shoh si diçka pozitive, si një lloj sinergjie. Më në fund kemi një gjuhë të përbashkët mes Washingtonit dhe Brukselit, ose një përpjekje e përbashkët që synon ta fusë këtë proces në shinat e duhura.  Rezultati i mbetet kohës, duhet të rezervohet një analizë më e thellë dhe më e detajuar. Në pamje të parë edhe unë jam optimist. Gjithsesi nuk duhet të shpresojmë shumëçka dhe me shpejtësi."

Për zotin plaka e rëndësishme është theksimi i objektivit të këtij marshi takimesh që është njohja reciproke mes dy vendeve.

Plaka: "Nëse i referohemi atyre që ka thënë Palmer duhet ta shpresojmë këtë, por sikurse thashë unë nuk e shoh kaq të afërt. Rëndësi ka që është theksuar se objektivi i këtij marshi të ri të takimeve do të jetë njohja reciproke. "

Në fjalën e tij, analisti tha se dialogu Kosovë-Serbi është një nga sfidat më të mëdha për Bashkimin Evropian. Kosova është "e dënuar" të jetë pjesëmarrëse në këtë proces që mos vuajë më vonë paragjykimet nga faktorët ndërkombëtarë.

Plaka: "Dialogu Kosovë-Serbi është një nga sfidat më të mëdha për BE-në me ato që quhen vende kandidate potenciale, pa zgjidhjen e të cilit sigurisht që vështirësohet rruga e gjithë rajonit në familjen që e pretendojmë të përbashkët. Mosvlerësimi i duhur i këtij procesi do të sjellë shumë kosto për Kosovën, pa paragjykuar rezultatet. Kosova është e dënuar të jetë pjesëmarrëse në këtë proces në mënyrë që mos vuajë nesër paragjykimet që do të vijnë nga faktorët ndërkombëtarë për ta njollosur shtetin e Kosovës me atë që do të ishte fatale, mos dëshira për dialog. "