Dronët ju bëjnë ‘gjëmën’/ Policia greke shkatërron rrjetin më të madh të trafikut të kokainës, drejtohej nga 43-vjeçari shqiptar
Policia greke ka goditur një grup të strukturuar kriminal të drejtuar nga një shqiptar në Mykonos, i cili trafikonte kokainën nga Holanda në Athinë me destinacionin ishullin e famshëm.
Mediat vendase bëjnë me dije se drejtuesi i tij ishte 43-vjeçari shqiptar, rezident në Mykonos Gjergji Kapaj, gjithashtu si rezultat i operacionit pesë persona u arrestuan.
Mësohet se policia përdori dronët për të kontrolluar të gjitha lëvizjet e anëtarëve të bandës shqiptare.
Mediat greke e kanë cilësuar grupin shqiptar si “unazë” të trafikut në Mykonos, ndërsa drejtuesin si një kriminel i skeduar për disa ngjarje por që në shumë raste kishte arritur që t’i ikte drejtësisë. Operacioni kundër bandës së shqiptarit u zhvillua në fshehtësi të plotë ditën djeshme.
Ndërkohë, Kapaj, sipas mediave greke ishte një i skeduar për disa ngjarje kriminale duke filluar nga grabitje, tentativë vrasje, arratisje nga spitali i burgut duke hapur zjarr në drejtim të policisë, armëmbajtje, drogë dhe vepra të tjera penale.
43-vjeçari në 2015 ishte lënë i lirë pasi i ishte pezulluar dënimi me 25 vite, që iu ul nga 47.6 vite në total.
Si nisi hetimi
Hetimi për grupin filloi në tetor 2020 kur një ankesë arriti në Departamentin e Sigurisë së Atikës në lidhje me disa shqiptarë, të cilët ishin aktivë në trafikimin e sasive të drogës, kryesisht kokainë, në Athinë dhe po përgatisnin një degë në Mykonos.
Sipas hetimeve policia zbuloi ekzistencën e një grupi kriminal, të strukturuar në mënyrë operative dhe me veprimtari të vazhdueshme kriminale, anëtarët e të cilit trafikonin kokainë dhe kanabis. Mediat shkruajnë kokaina blihej në Holandë.
Në fund të Prillit, anëtarët e bandës realizuan blerjen dhe transportin e 3 kilogramëve kokainë prej 28,000 euro për kilogram nga Holanda dhe e transportuan duke e fshehur në një makinë, ndërsa dega e grupit në Mykonos funksiononte me “klientë të zgjedhur”.
Goditja e grupit u realizua ditën e djeshme. Forca të shumta policie të ndihmuar edhe nga një dron arritën që të arrestonin katër persona. Në të njëjtën kohë në Athinë u kap “truri” i grupit kriminal, i cili fillimisht refuzoi kontrollin nga policia duke ikur me vrap, por u prangos pas ndjekjes.
Çfarë sekuestroi policia
Nga operacioni u kontrolluan 4 shtëpi në ishull dhe 4 në Athinë ku u sekuestrua kokainë, kanabis, peshore elektronike, një pistoletë, fishekë, një makinë dhe 6865 euro.

