Basha: Masakra e 25 prillit nuk do njihet, dora e Ramës për bashkëpunim e mbushur me helm
Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi gjatë takimit me demokratët në zonën e Shkodrës së zgjedhjet në PD janë një proces i rëndësishëm dhe jo thjesht një ditë rutinë. Ai tha se ky është testi i parë pas 25 prillit për situatën brenda partisë. Basha nuk la pa përmendur as 25 prillin të cilin e cilësoi si ditë e një fatkeqësie kombëtare.
“Në të vërtetë 25 prilli është ditë e një fatkeqësie kombëtare, është dita e vdekjes klinike të demokracisë; Për ta thënë thjeshtë, shkoqur dhe qartë për këdo, demokraci mbi së gjitha dhe para së gjithash do të thotë vullnet i shumicës dhe me 25 prill shumicës i është mbivendosur një pakicë e pakicës. 25 prilli nuk ka lidhje me demokracinë, nuk ka lidhje me vullnetin e shkodranëve, nuk ka lidhje me vullnetin e shqiptarëve. 25 prilli është gjëma dhe krimi final i regjimit të Edi Ramës dhe Tom Doshit, “ tha Basha.
Ai deklaroi se masakra e 25 prillit nuk do njihet kurrë prej tij ndërsa edhe njëherë theksoi përgjigjen për ftesën për bashkëpunim të kryeministrit Edi Rama.
“Masakra e 25 Prillit nuk do njihet kurrë nga unë. Gjithçka na bën pjesëtarë në këtë masakër zgjedhore.
Dora e bashkëpunimit është e mbushur me helm jo vetëm për mua por për Shqipërinë dhe shqiptarët. Jo-ja ime është e prerë dhe finale. Pavarësisht masakrës zgjedhore dhe qindra faktorëve të tjerë që secili prej jush i ka ndjerë, fakti është se shqiptarët nuk kanë shpresë dhe forcë tjetër për t’i nxjerrë nga qorrsokaku përveç Partisë Demokratike”, tha kryedemokrati.
