Shqipëria me dy “fytyra”, barazon miqësoren me Uellsin

Shqipëria me dy “fytyra”, barazon miqësoren me Uellsin
Në “Cardiff Stadium” me 6500 tifozë të pranishëm për herë të parë për këtë vend, Shqipëria luajti miqësoren e parë të Qershorit përballë Uellsit e cila përfundoi në barazim 0-0.

Kuqezinjtë bën një paraqitje shumë të mirë në pjesën e parë ndërsa në të dytën për shumë arsye që Reja duhet t’i shpjegojë ishin larg pritshmërive.

Në një sfidë ku portieri Selmani debutoi për herë të parë si titullar në kombëtaren e madhe dhe Abrashi gjithashtu kapiten, kuqezinjtë e nisin mjaft mirë duke kontrolluar topin madje rastin e parë të pastër e krijojmë ne.

Në minutën e 16’ nga një top i Bares, Manaj në dyluftim me Mepham arrin ta shmangë por goditja e sulmuesit tone është mbi traun e portës.

Minuta të mira për Shqipërinë që merr disa goditje nga këndi të cilat nuk i shfrytëzon ndërsa në minutat e fundit të pjesës së parë pati edhe tension mes Manaj e Ramsey me sulmuesin tone që mori karton të verdhë.

Pjesa e dytë nis më ndryshe për Uellsin që shton presionin dhe krijon raste ku në 59’ nga një krosim i Davies rrezikojmë edhe autogolin me Abrashin.

Luajmë shumë të tërhequr në pjesën e dytë dhe Uellsi ka më shumë hapësira teksa në 68’ Harry Wilson pranë zones me një goditje i afrohet golit të parë të ndeshjes.

Vuajmë shumë në këto minuta ku Uellsi fut edhe Gareth Bale dhe në minutën e 73’ Gentjan Selmani tregon vlerat kur neutralizon një gjuajtje shumë të fortë nga jashtë zone.

Minutat e fundit janë një vuajtje e vërtetë që gjithsesi lojtarët tanë arrijnë ta menaxhojnë dhe të mbrojnë rezultatin 0-0.

Barazimi nuk është aspak rezultat i keq sidomos pas asaj pjese të parë por e dyta ishte e dobët dhe ndaj Çekisë në miqësoren tjetër pas 4 ditësh duhet korrigjuar.