Italia mbyll miqësoret me fitore, Spanja barazon me Portugalinë

Për disa ekipe pjesëmarrëse u luajtën sot ndeshjet e fundit miqësore në prag të Kampionatit Europian. Fillimisht ishte Spanja që në “Wanda Metropolitana” priti rivalët e Portugalisë në një ndeshje të luajtur me kujdes nga të dyja skuadrat dhe që në fund u mbyll me një barazim 0-0. Morata pati disa raste për të shënuar ndërsa 1500 tifozë vërshëllyen gjatë gjithë ndeshjes Cristiano Ronaldon.

Tani Spanja mbyll përgatitjet me këtë barazim dhe bëhet gati për Euro 2020 ashtu si Italia që mbylli testet me një tjetër fitore.

Kësaj radhe ndaj Republikës Çeke, një rival i vështirë që do të luajë në Europian dhe ndaj të cilëve fituan me rezultatin e pastër 4-0. Një forcë e vërtetë e treguar nga axurrët të cilët dominuan dhe gjetën golat me Immobile e Barella në pjesën e pare dhe me Insigne e Berardi në fraksionin e dytë.

Ndërkohë që Çekia që do të luajë në Kampionatin Europian, do të mbyllë miqësoret pikërisht ndaj Shqipërisë pas 4 ditëve në shtëpinë e tyre. Ajo ndaj çekëve do të jetë edhe miqësorja e dytë e luajtur nga Shqipëria pas asaj me Uellsin që do të përballet të Shtunën.

Ndërkohë, Hungaria, rivali ynë në eliminatoret e Botërorit ndaj të cilëve do të luajmë në shtator fitoi në miqësore minimalisht 1-0 me Qipron dhe pas 4 ditëve do të ketë testin e fundit ndaj Irlandës.