Armando Broja rikthehet për të qëndruar, Chelsea “blindon” bomberin shqiptar

Merkato e futbollistëve nuk mund të parashikohet asnjëherë ku emrat që mund të transferohen mund të ndryshojnë çdo ditë por e ardhmja e Armando Brojës po qartësohet gjithnjë e më shumë.

Sulmuesi shqiptar do të jetë bomber i së ardhmes te Chelsea dhe diçka të tillë e garanton edhe rrjeti prestigjos Sky Sports UK që informon se “blutë e Londrës” do rikthejnë në shtëpi sulmuesin shqiptar.

Broja ishte i huazuar vitin e kaluar te Vitesse ku ishte protagonist me 11 gola të shënuar në një sezon shumë pozitiv dhe tani janë të bindur që 19-vjeçari do të ketë vend dhe hapësirë te Chelsea. Madje trajneri i kampionëve të Europës dëshiron t’i japë hapësira lojtarit shqiptar sezonin e ardhshëm duke qenë se Giroud do të largohet, Abraham do të shitet dhe ka nevojë me patjetër për një lojtar si sulmuesi shqiptar.

Mësohet se Chelsea do ta rikthejë menjëherë në Londër jo vetëm për t’i dhënë një shans lojtarit kuqezi por edhe për t’ia rinovuar kontratën.

Broja ka edhe një vit të mbetur kontratë dhe është një lojtar që ka dalë nga academia e “bluve të Londrës” dhe prej vitesh Chelsea e ka treguar se di t’u jape shanse lojtarëve të rinj e të talentuar dhe sulmuesi shqiptar do të jetë një prej tyre.