Zyrtare, Simone Inzaghi është trajneri i ri i Interit

Vetëm çështje ditësh ishte pasi palët kishin dhënë “ok” dhe tani është zyrtare. Simone Inzaghi është trajneri i ri i Interit, kampionëve të Italisë. Inzaghi që drejtoi 5 sezone Lazion dhe ku fitoi 3 trofe, vjen te Interi për të zëvendësuar Antonio Conten i cili riktheu zikaltërit në majën e futbollit Italian teksa firmosi një kontratë 2-vjeçare.

“FC Internazionale Milano mirëpret Simone Inzaghin si trajnerin e ri të Ekipit të Parë: trajneri ka nënshkruar një kontratë dy-vjeçare me klubin zikaltëri. # MirësevjenSimone”, ishte njoftimi zyrtar i klubit Italian.

Inzaghi ishte njëri mes dy kandidatëve të vetëm që kishte piketuar Marotta i cili tentoi edhe Allegrin por ai zgjodhi Juventusin ndërsa tani ish trajneri i Lazios bëhet zyrtarisht timonieri i kampionëve të Italisë dhe ka detyrën e vështirë të konfirmojë sezonin e madh të skuadrës.

Tashmë me konfirmimin e tij, zikaltërit do të nisin punën për sezonin e ri dhe fjala e parë është merkato ku sipas mediave, Inzaghi ka shpallur të pashitshëm Lukakun dhe Barellan ndërsa të tjerët vetëm në rast ofertash të rëndësishme mund të sakrifikohen.