Veseli: Dy vite të vështira, e tregova veten. Japim 100% në kombëtare
Frederic Veseli ishte një nga lojtarët që doli në konferencën për shtyp nga Cardifi për të folur për miqësoren me Uellsin të cilët luajtën mbrëmjen e kaluar me Francën dhe mbrojtësi kuqezi e pranoi se lojtarët e ndoqën rivalin e ardhshëm të Shqipërisë.
“E ndoqëm ndeshjen e Uellsit ndaj Francës. është ekip i fortë dhe kanë kualitet. E kemi mundur para 2 vitesh por janë ekip i fortë dhe nuk duhet nënvlerësuar. edhe ne jemi ekip fizik. Pasi morën karton të kuq me Francën gjërat ndryshuan sepse të luash me një lojtar më pak ndaj tyre nuk është e lehtë”.
Veseli foli edhe për ndryshime të mundshme që mund të bëjë Reja në këto miqësore por siguroi se të gjithë japin maksimumin me fanellën kuqezi.
“Detyra jonë është t’i bllokojmë dhe të mos lejojmë të bëjnë lojën e tyre. rezultati është gjithmonë i rëndësishëm kur luan në kombëtare. Ne jemi në një fazë përgatitore për shtatorin dhe nuk ka asnjëherë miqësore për ne. Duhet të japim 100%, të gjithë japin maksimumin në skuadër dhe fakti që luajmë shumë në Itali na ndihmon shumë në aspektin mbrojtës. Është trajneri që do të vendosë për ndryshime në këto miqësore, ne jemi të gjithë gati për të bërë maksimumin në fushë”.
Nuk mungoi edhe komenti I lojtarit të Salernitanës për të ardhmen pas ngjitjes në Serinë A.
“E ardhmja? Kam edhe 2 vite kontratë me Salernitanën, kam disa oferta nga jashtë dhe Italia por tani jam fokusuar me kombëtaren. Jam shumë i kënaqur që jemi rikthyer në Aerinë A. Disa persona më kanë zhgënjyer, besoj se pas dy viteve të vështira që kam kaluar e tregova veten.”
