Abrashi: Krenari e madhe të jem kapiten i kombëtares që unë dua
Do të jetë Amir Abrashi ai që do të mbajë shiritin e kapitenit të Shqipërisë në miqësoret ndaj Uellsit. Mesfushori i zgjedhur nga Reja për të qenë lideri i kuqezinjve në Cardiff u shpreh tepër i lumtur në konferencën për shtyp ku foli në krah të trajnerit italian.
Çfarë emocioni është të mbash shiritin e kapitenit?
Është kënaqësi e madhe dhe motiv krenarie që të mbaj shiritin e Shqipërisë, kombëtares që unë e dua dhe jam gati të bëj më të mirën. Kam shumë eksperiencë, e ndjej veten si lider sepse i ndihmoj edhe lojtarët e ri.
Më e rëndësishme është fitorja apo loja e bukur në këto miqësore?
Janë dy teste të rëndësishme dhe ne do të provojmë të bëjmë më të mirën, pse jo edhe të fitojmë në këto dy ndeshje. Jemi në 100% të formës.
A mund ta përsëritim fitoren ndaj Uellsit?
Pse jo?! Ata janë një kundërshtar shumë i fortë, por edhe ne jemi të aftë për t’u përballur dhe për të marrë një tjetër fitore.
E keni ndjekur Uellsin dhe cila është pika e tyre e fortë?
E kemi ndjekur dhe e njohim mjaft mirë, pasi janë një skuadër tipike britanike, që vrapon shumë dhe shfrytëzon shumë aspektin fizik, megjithatë i kemi studiuar mirë dhe besoj se do të bëjmë më të mirën ndaj tyre.
