Paralajmërimi i Palmer: Pakti Kosovë-Serbi brenda vitit
Bisedimet mes Vuçiç dhe Kurtit në qershor duket se do të përcillen me tensione. Kryeministri i Kosovës shprehet se në takim nuk do të shkojë për dialogun e moçëm por për të ardhmen. Pavarësisht kësaj, i dërguari i SHBA-së, Matthew Palmer, shprehet besimplotë se brenda vitit do të ketë marrëveshje.
Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë tashmë janë futur në një udhëkryq të fortë.
Pavarësisht replikave në distancë mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç, ndërkombëtarët janë optimistë për gjetjen e zgjidhjes.
Në intervistën e dhënë në prestigjiozen serbe "Blic", i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka deklaruar se është e mundur që palët të arrijnë marrëveshje gjatë këtij viti.
“Kurti dhe Vuçiç janë në pozicione, të cilat u mundësojnë që të përfshihen në dialog, të identifikojnë çështjet për të cilat mund të arrihet marrëveshje dhe ta çojnë të gjithë procesin përpara”.
Ai deklaroi se Kosova nuk është e gatshme që të negociojë për çështjen e ndryshimit të kufijve dhe territoreve.
“Mendoj se dy vendet kanë çështje shumë më produktive në të cilat mund të angazhohen aktualisht, siç është çështja e personave të zhdukur”.
Ai po ashtu tha se të dy palët duhet të respektojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel, përfshirë Asociacionin.
Bisedimet i ka konfirmuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka paralajmëruar se takimi me presidentin serb Aleksandar Vuçiç pas disa javësh nuk do të jetë për dialogun e moçëm.
“Takimi i mesit të qershorit që është paralajmëruar nuk është i paraparë për të vazhduar dialogun e moçëm apo më të moçëm. Por është diskutim për formatin e bisedimeve në të ardhmen. Pra, nuk është takim i dialogut të ardhshëm, por takim për dialogun e ardhshëm”.
Rishikimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë dhe njohja reciproke mbetet sfida kryesore mes Beogradit dhe Prishtinës.

