SHBA i dhuron Kosovës vaksina kundër Covid-19, Osmani: Joe Biden gjithmonë miku ynë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden i ka dhuruar Kosovës, një sasi vaksinash. Lajmin e ka bërë me dije Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në  një postim që ka bërë në rrjetet sociale, por megjithatë nuk ka treguar se sa doza vaksine apo llojin e saj.

 Osmani ka falënderuar Biden për vaksinat teksa shkruan se një kërkesë të tillë i ja ka bërë në mes të muajit mars.

Postimi i plotë:

PRESIDENTI BIDEN NDANË VAKSINA PËR KOSOVËN

Më 19 mars 2021, i kam shkruar Presidentit Biden duke kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dhurimin e vaksinave në kohën kur Kosova ishte i vetmi shtet në Evropë që ende nuk kishte filluar administrimin e tyre. Më 19 Prill 2021 Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht në të cilën ai u zotua për ta trajtuar kërkesën tonë rreth vaksinave. Sot, ne jemi të lumtur të njoftojmë se Presidenti Biden, në emër të SHBA-ve, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës.

Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për Presidentin Biden për këtë gjest bujar dhe për dhurimin e vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës pas kërkesës së adresuar atij në muajin mars. Njoftimi zyrtar i sotëm është tjetër dëshmi e mbështetjes së palëkundur që vendi ynë e gëzon historikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Biden ka qenë gjithmonë mik i Kosovës dhe ky donacion ilustron kujdesin dhe konsideratën e pakursyer që ai vazhdon të tregojë ndaj popullit tonë.  Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës e falënderoj përzemërsisht.

Kosova dhe institucionet tona vazhdojnë të mbeten të palëkundura në orientimin Euro-Atlantik dhe të njëjtën politikë e kanë ndjekur edhe në sigurimin e vaksinave.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe aleatin tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.