Ministri i Jashtëm grek viziton Prishtinën: Dialogu me Serbinë ju sjell afër BE-së
Greqia po shpeshton vizitat diplomatike në Prishtinë teksa dy palët shpresojnë se mund ta avancojnë më tej marrëdhënien aktuale. Ministri grek, Nikos Dendias, tha se Kosova e ka të sigurt rrugëtimin e saj në BE nëse i qëndron dialogut me Serbinë.
Kosova dhe Greqia janë zotuar që t'i zhvillojnë raportet ekonomike, ndërsa politikisht, Prishtina pret nga Athina që ta ndihmojë në rrugën drejt BE-së dhe ta njohë si shtet.
Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias, u prit të premten nga homologia e tij kosovare, Donika Gërvalla.
Bisedimet u përqendruan te aspektet ekonomike të marrëdhënies dypalëshe, por u trajtua edhe çështja e të ardhmes europiane të Ballkanit.
"Ne besojmë që Ballkani Perëndimor i takon Europës dhe duhet të jetë pjesë integrale e BE-së. Mbështetim vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd sepse një zgjidhje ligjore, e qëndrueshme, do e stabilizonte mbarë rajonin dhe do e sillte më afër familjes europiane," tha Dendias.
Ndërsa kryediplomatja Gërvalla njoftoi se me Greqinë janë pajtuar që zyra e vendit në Athinë të shndërrohet edhe për tema politike.
Greqia është ndër pak shtete të BE-së që nuk e njeh ende Kosovën e pavarur.
Ministri Dendias zhvilloi takime edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin Albin Kurti, pa u prononcuar për mediet.
Kjo është vizita e tij e dytë në Prishtinë pas asaj të tetorit të shkuar kur deklaroi se çështja e njohjes së Kosovës nga Serbia, është çështje e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve.

