Vjehrri hakmerret para seancës për divorcin, vret dhëndrin dhe plagos avokatin e tij Adriatik Cama
Konflitet në familje regjistruan viktimën e radhës. Mexhit Picari qëlloi për vdekje dhëndrin e tij Kudret Saliaj me të cilin e bija ishte në proces divorci vetëm pak para nisjes së seancës gjyqësore. I plagosur mbeti dhe avokati i viktimës Adriatik Cama. Ata ishin bashkë në tavolinën e një lokali pranë Gjykatës.
Vrasja ndodhi rreth orës 11:50, (4 qershor 2021) në një zonë të populluar të Tiranës, në një lokal të njohur pranë Gjykatës së Tiranës. Shtetasi Kudret Saliaj mbeti i vrarë me tre plumba ndërsa u plagos avokati i tij, ish-prokuror në Prokurorinë e Tiranës, Adriatik Cama.
Vrasja tek lokali
Cama, i cili prej shkarkimit të tij nga vettingu ushtronte detyrën e avokatit, ka qenë duke konsumuar një kafe me klientin e tij, Kudret Saliaj para një seancë gjyqësore divorci me gruan e tij.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj, në një prononcim për median u shpreh: I ati i vajzës është autori. Viktima ka pasur një proces të gjatë divorci me bashkëshorten e tij e cila ka qenë e arrestuar për dhunë në familje.
Plagosja e avokatit
Burime nga spitali i Traumës bëjnë me dije se avokati ka marrë një plumb në klavikul që i ka ngelur në sqetull. Por fatmirësisht nuk i ka dëmtuar enë gjaku apo organe dhe gjendja e tij shfaqet stabël.

Divorci
Ora News mëson se ka qenë seanca e pestë e divorcit me gjyqtare Irena Plaku. Për të ndjekur procesin kanë qenë edhe familjarë të gruas së Saliaj. Babai i kësaj të fundit, Mexhit Picari, ka qëlluar dhëndrin e tij dhe plumbat kanë marrë edhe avokatin Cama që ndodhej me të në tavolinë.
Efektivët kanë shoqëruar në komisariat një të mitur, i cili ka qenë dëshmitar në vendngjarje.
"Rreth orës 11:50, në bulevardin “Gjergj Fishta” dyshohet se shtetasi M. P. ka vrarë me armë zjarri shtetasin K. S. ( ish-bashkëshortin e vajzës) dhe si pasojë e të shtënave është plagosur dhe shtetasi A. C., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën" njoftoi policia.
Pak minuta pas ngjarjes policia bëri të mundur arrestimin e Mexhit Picarit. Ai është shoqëruar në drejtorinë e policisë së Tiranës.
"Ka dëshmitarë okularë dhe është e dokumentuar"
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Viktima ka qenë në proces divorci që prej vitit të kaluar për shkak të mosmarrëveshjeve në familje.
