Mark Van Bommel rikthehet në stol. Merr drejtimin e Wolfsburg

Xhiroja e trajnerëve vijon në të gjithë Europën e jo vetëm në Itali dhe në Spanjë. Në Bundesliga, pas Eintracht Frankfurt, Gladbach dhe Bayern Munchen është radha e Wolfsburg që të emërojë timonierin e skuadrës.

Emri është tepër i njohur dhe bëhet fjalë për Mark Van Bommel i cili rikthehet në një aventurë zyrtare pas 2 vitesh mungesë që kur ai u shkarkua në 2019 nga PSV Eindhoven.

44-vjeçari do të ketë një detyrë të rëndësishme për sezonin tjetër pasi Wolfsburg do të luajë për here të tretë në histori në Champions League dhe të paktën duhet të renditet mes 4 ekipeve të para në kampionatin gjerman.

Van Bommel ka firmosur një kontratë deri në vitin 2023 dhe u shpreh se mezi pret të nisë aventurën e re

“Jam shumë entuziast për këtë aventurë të re ku idetë dhe vizioni im bashkohen me ata të drejtuesve. Për mua është një sfidë shumë e madhe të punoj si trajner në Bundesliga, aty ku kam luajtur edhe lojtar dhe mezi pres ta nis këtë aventurë. Shpresoj të arrijmë objektivat dhe të bëjmë më të mirën për klubin dhe tifozët”, u shpreh ish mesfushori holandez.

Si lojtar, Van Bommel ka luajtur nga viti 2006 deri në vitin 2011 me fanellën e Bayern Munchen ku koleksionoi 123 ndeshje me 11 gola të shënuar dhe 15 asiste.