Koeman konfirmohet te Barça por duhet të ndryshojë skemën
Barcelona ka zyrtarizuar edhe goditjen e tretë në merkato duke iu afruar tashmë objektivit për të kompletuar sa më shpejt skuadrën për sezonin e ardhshëm.
Pas Agueros dhe mbrojtësit të qendrës, Eric Garcia, katalanasit afruan mbrojtësin e djathtë, Emerson të cilin e riblenë nga Betis për 9 mln Euro. Skuadra katalanase ka ende për t’u plotësuar pasi do të vendoset edhe e ardhmja e Messit teksa mësohet se ajo e trajnerit është vendosur me Ronald Koeman që do të qëndrojë.
Trajneri holandez është rikonfirmuar nga presidenti Laporta, i detyruar edhe nga kontrata bashkë me mungesën e alternativave të mira për stolin.
Gjithsesi, Koeman do të qëndrojë te Barcelona dhe sipas shtypit katalanas ai duhet të ndryshojë skemën dhe të luajë vetëm me 4-3-3, që sipas drejtuesve është më e mira për lojtarët që ka skuadra.
Në sulm me Griezmann, Messi, Dembele, Braithwaite, Aguero e të rinjtë e tjerë janë garanci për këtë modul ndaj dhe Koeman do të ketë lojtarët e duhur për këtë skemë të imponuar nga drejtuesit.
Këta të fundit janë të bindur se stili i lojës që do të rikthente katalanasit te suksesi është skema 4-3-3 që prodhon një futboll ofensiv, karakteristikë gjithmonë kjo për klubin spanjoll.
