Cikalleshi: Shqyrtoj çdo ofertë. Në Shtator, prova e zjarrit për Shqipërinë
Sokol Cikalleshi ishte lojtari tjetër që foli në konferencë për shtyp në Cardiff në vigjilje të sfidës ne Uellsin dhe si një nga sulmuesit më në formë të kombëtares, ai e pranoi se miqësoret do të vlejnë përpara provës së zjarrit që kombëtarja ka në shtator.
"Ka qenë një sezon i gjatë për të gjithë besoj, prej pandemisë dhe ndeshjeve të ngjeshura. Por ka kaluar tashmë dhe jemi fokusuar te dy ndeshjet e Kombëtares. Janë miqësore, por sigurisht që nuk i konsiderojmë të tilla pasi janë dy ndeshje që na bëjnë të provojmë veten se ku jemi përpara provës së zjarrit që kemi në shtator. Janë dy ekipe që kanë shkuar në Europian dhe besoj se janë të të njëjtit nivel si kundërshtarët tanë dhe ne jemi gati të bëjmë më të mirën tonë dhe të provojmë veten. Po ashtu edhe trajneri të provojë taktikat e tij për të marrë më të mirat e tij në këto dy ndeshje".
Për sulmuesin tonë, fakti që janë miqësore nuk do të thotë që nuk ka presion pasi sipas tij Shqipëria duhet të tregojë gjithmonë lojë dhe rezultate ndërsa u shpreh se të shënojë e të ndihmojë ekipin është detyra e tij.
"Besoj se nuk e kemi luksin ne si Kombëtare që të shohim ndeshje të mirëfillta si miqësore. Ndodhemi në një moment delikat, vijmë pas Ligës së Kombeve ku patëm sukses, duke u renditur të parët. Tani jemi në një kompeticion akoma më të fortë dhe me kundërshtarë akoma më të fortë dhe jemi në një moment deçiziv për të parë se ku jemi. Nuk do t’i konsideroja miqësore dhe do të kemi të njëjtin përqëedrim si në ndeshjet e shtatorit. Çdo ndeshje është e rëndësishme, pavarësisht kundërshtarit dhe pavarësisht gjendjes ku jemi dhe rëndësisë së ndeshjes, jo vetëm për mua por për çdo lojtar që është në këtë kontigjent. Ne jemi të gatshëm gjithmonë, edhe kur luajmë edhe kur nuk luajmë. Të jesh pjesë e Kombëtares, nuk do të thotë të jemi të lumtur vetëm kur luajmë, kështu që unë do jem shumë i gatshëm të bëj më të mirën time. Patjetër që të shënoj, ta ndihmoj ekipin. Unë për këtë jam këtu.
Skemat i përkasin trajnerit dhe ai e di më së miri dhe besoj se do të zgjedhë më të mirën e mundshme për kontigjentin që ka. Dihet skema jonë, që është 3-5-2 që e kemi bërë pothuajse në të gjitha ndeshjet, përveç se në ndeshjen me Anglinë."
Në fund, Cikalleshi zbulon edhe çështjen e të ardhmes së tij te Konyaspor.
"Kam edhe një vit në kontratë me Koniaspor, kam mbyllur një sezon të mirë. Do ta respektoj kontratën deri në fund. Patjetër që në momentin që do të ketë ndonjë ofertë më interesante, unë do ta shqyrtoj me detaje. Deri tani është herët për të folur për transfertat. Të bëjmë më të mirën këtu në Kombëtare, pastaj kemi disa pushime. Në momentin që vijnë gjëra më të mira, unë do t’i shqyrtoj patjetër".
