Bare rrëfehet për të ardhmen dhe eliminatorët: Miqësorët janë për t'u fituar
Të shtunën, Shqipëria do të jetë në testin e parë ndaj Uellsit në Cardiff, miqësore që trajneri Reja e ka cilësuar si tepër të rêndësishme dhe diçka të tillë e pranon edhe Keidi Bare. Mesfushori shqiptar që luan te Espanyol ishte një nga lojtarët që doli sot në konferencën për shtyp në Cardiff teksa vuri theksin te serioziteti që skuadra po tregon për këto dy ndeshje
"Këto janë dy ndeshje shumë të rëndësishme për ne pasi në shtator kemi dy ndeshje edhe më të rëndësishme dhe do të provojmë veten tonë në këto dy sfida. Sa i përket mesfushës, them se jemi lojtarë shumë të rinj të gjithë, pavarësisht se në këto dy ndeshje kemi mungesa në mesfushë por jam 100% i bindur që si unë dhe lojtarët e tjerë do japin maksimumin në fushë, ashtu si në stërvitje. Besoj se në këto dy ndeshje do tregojmë vlerat tona dhe shpresoj që në fushë të jemi të gjithë të një niveli shumë të lartë, pasi siç e thashë, janë ndeshje shumë të rëndësishme, pasi duhet të përgatitemi për ndeshjet e shtatorit".
Bare e pranoi se ndaj Uellsit ka rëndësi si rezultati ashtu edhe paraqitja e skuadrës në fushë.
" Se çfarë duhet përmirësuar në skuadër e di trajneri, por dua të them se të gjithë lojtarët japin maksimumin në fushë, si edhe në stërvitje dhe në ndeshje, pavarësisht se ka edhe ndeshje që jo vetëm ne por çdo lojtar në botë nuk është në nivelin e duhur, por ne do japim maksimumin që të bëjmë ndeshje sa më të mira. Rezultati është shumë i rëndësishëm për skuadrën pasi të ngre moralin, por dua të them që edhe duhet të formojmë grupin, duhet të bëjmë ndeshje të mira, pasi në shtator na presin ndeshje shumë të vështira. Besoj se duhet të provohemi dhe t’ia arrijmë qëllimit, që të dalim me sukses".
Në fund, lojtari u shpreh edhe për të ardhmen dhe për situatën e kombëtares ne eliminatore.
"Në futboll asgjë nuk është e pamundur. Kombëtarja shqiptare para disa vitesh arriti kualifikimin në Europian dhe pse mos të arrijmë edhe një kualifikim në Botëror, do ishte ëndërr për të gjithë shqiptarët, për futbollistët, për vendin tonë. Ne do japim maksimumin për të arritur këtë qëllim.
Sot, ata që shënojnë gola janë lojtarët më të rëndësishëm të ekipit. Por kjo nuk do të thotë gjë, pasi jemi 11 veta që luajmë në fushë dhe unë jam i kënaqur që ekipi të fitojë, pavarësisht se kush i shënon golat. Por do të isha i lumtur që pse jo, dhe të vazhdoj dhe të shënoj gola pavarësisht se tek ekipi im nuk luaj në të njëjtin rol si luaj në Kombëtare. E ardhmja? Unë kam edhe 4 vite kontratë me Espanjol dhe jam shumë i lumtur sepse më kanë mbështetur dhe më duan shumë por tani jam në La Liga që e kam ëndërruar prej shumë kohësh. Shumë lojtarë e ëndërrojnë dhe unë tashmë jam pjesë e saj", përfundoi mesfushori Bare.”

