Kosova fiton miqësoren e parë, Muriqi “poker” ndaj San Marinos

Nga katër miqësoret e Qershorit, Kosova e nis mbarë teksa mposhti në “Fadil Vokrri” San Marinon me rezultatin e thellë 4-1.

Edhe pse një kundërshtar tepër i lehtë në letër, dardanët bënë detyrën duke treguar një formë mjaft të mire teksa Challandes kishte hedhur në fushë edhe disa lojtarë si Bejselmani, Idrizi e Kastrati si titullar për t’u dhënë shanse në sfida të tilla.

Ishte një ndeshje ku më i miri padyshim rezultoi Vedat Muriqi me “poker” golash të cilat i mungojnë te Lazio dhe asnjëherë te Kosova. Me përfaqësuesen, Muriqi bëhet lojtari i parë në histori që arrin të shënojë 4 gola në një ndeshje.

Në pjesën e parë, sulmuesi dardan shënoi dy herë, në 27’ dhe më pas në 45+1’ ndërs edhe në të dytën përsëriti të njëjtën paraqitje në 46’ dhe 76’, këtë të fundit me penallti.

Pjesa e dytë u shfrytëzua nga Challandes edhe për shumë zëvendësime teksa iu dha shansi të rinjve si Sulejmani e Daku. Për San Marinon pati vend për pak lavdi teksa shënuan golin e flamurit në minutën e 84’, pas një pasigurie të mbrojtësve të Kosovës.

Gjithsesi duhet të quhet një fitore me vlera që Kosovës i bën mire për të rritur moralin dhe për t’u kolauduar për eliminatoret e Botërorit në Shtator.