Mjekët e Fierit në protestë për pezullimin e kolegëve: Pacienti nuk është dhunuar, shteti të na dalë zot
Mjekë, infermierë dhe punonjës shëndetësorë në spitalin e Fierit kanë protestuar të premten para institucionit ku punojnë.
Shkak për këtë protestë janë bërë akuzat ndaj dy mjekëve Ndriçim Kallashi dhe Enver Halili, se ata kanë dhunuar familjarët e një pacienti.
Vetë mjekët, Halili dhe Kallashi kanë mohuar të kenë ushtruar dhunë ndaj pacientit ose familjarëve të tij, madje pretendojnë se ata janë dhunuar.
"Nuk është ushtuar dhunë, është bërë vetëm neutralizim sepse nuk është mirë që para medies edhe ne të tregojmë se çfarë ka ndodhur në trupin tonë," tha mjeku.
"Organet kompetente pasi të kenë në dorë gjithë provat tona, jo vetëm më audio por edhe me video. Dhuna ka qenë verbale dhe më pas ka përfunduar në dhunë fizike," thotë një mjek tjetër.
Prokuroria e Fierit ka nisur tanimë procedimin penal për të dy mjekët, ndërsa ka kërkuar edhe pezullimin e tyre nga puna.
Por, të tjerë mjekë deklarojnë se nëse kolegët e tyre pezullohet, ata do të japin dorëheqje.
"Në qoftë se kolegët tanë pezullohen unë i pari personalisht do jap dorëheqjen, do lë punën sepse nuk mundemi të punojmë nën këtë lloj dhune. Shteti nëse na sjell në punë të na dalë për zot, kaq kam," thotë mjeku.
"Të sensibilizohet Prokuroria të shikojë audion se është e manipuluar sepse sekuencat e fundit janë vënë në mes dhe të mesit janë vënë në fund," thotë një mjek tjetër.
Në mbrojtje të mjekëve ka reaguar edhe Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor të cilët kanë thënë se mjekët duhet të mbrohen nga çdo agresion.