Ambasadori i OSBE: Klima politike ka një dozë të shtuar dinamike dhe gjallërie, shumë shpejt raporti për zgjedhjet e 25 prillit

Ambasadori i Prezencës së OSBE në Shqipëri, nga Shkodra nuk pranoi të bëjë komente për procesin zgjedhor të 25 prillit, pasi tha se është ende në pritje të raportit përfundimtar të ODIHR.

"Ju thatë dy gjëra të drejta, që unë kam 6 muaj në Shqipëri dhe që në Shqipëri ka pasur zgjedhje. Vlerësimi i procesit zgjedhor bëhet nga bashkëpunëtorët tonë të ODIHR e cila është zyra jonë për të drejtat e njeriut. Tashmë kemi publikuar një raport në shenjë demokracie dhe transparence dhe është i aksesueshëm nga të gjithë në rrjete. Po presim rezultatin përfundimtarë që uroj që shumë shpejt t'i prezantohet publikut dhe autoriteteve shqiptare, nuk kam një datë të saktë. Shpresoj që të ketë një mirëkuptim racional dhe jam në pritje të raportit përfundimtarë nga kolegët e ODIHR para se të bëj komente të arsyeshme," tha  Del Monaco.

Vincenzo Del Monaco ka vetëm 6 muaj në vendin, kohë e cila duket i ka shërbyer për të krijuar një mendim për klimën politike në Shqipëri.

"Më duket se ka një dozë të shtuar dinamike dhe gjallërie."

Në raportin paraprak, Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it e vlerësoi procesin të qetë por vuri në dukje që "partia qeverisëse mori shumë avantazhe nga pozicioni i saj, përmes kontrollit në administratën lokale dhe përdorimit të burimeve qeveritare”

Shitblerja e votës ishte një tjetër fenomen  vjetër i proceseve zgjedhore në Shqipëri që u evidentua nga ndërkombëtarët edhe në zgjedhjet e 25 prillit.