Rama: Kur u arrit dhe depolitizimi i Skënder Gjinushit e ardhmja është e sigurt
Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Akademinë e Shkencave ku ka folur gjatë për reformën e bërë.
Ai foli më tej për pavarësi të Akademisë së Shkencave duke theksuar se kjo akademi bazohet mbi parime.
“Dua t’i kthehem për një sekondë momentit kur si qeveri u bindëm për reformën. Nuk kam asnjë aluzion se ligji i miratuar është më i përsosuri i mundshëm, por i ka kthyer vendin kërkuesve të vërtetë dhe besoj se i ka dekurajuar sharlatanët e shkencës që në një pikë të caktuar arritën deri dhe të flasin në emër të ASH. Në fund të fundit ky ishte dhe qëllimi kryesor. Sot kjo akademi bazohet në disa parime."
Kryeministri Rama shkëmbeu batuta me kryetarin e ASH, Skënder Gjinushi duke deklaruar se ai nuk e ka uruar për zgjedhje, pavarësisht se është gëzuar duke u solidarizuar me pakicën.
"Akademia e Shkencave nuk është ende aty ku duhet të jetë. Nga reforma famëkeqe e vitit 2008 ku çdo institucion u asgjesua dhe për Akademinë mbetën në total vetëm 5 kompetenca honorifike. Ligji i ri, produkt i një pune të përbashkët, ku mbi të gjitha merita i takon kësaj skuadre akademikësh dhe padyshim profesorit të çliruar nga zinxhirët e politikë.
Për herë të parë Skënder Gjinushi nuk ma ka uruar fitoren e zgjedhjeve. Domethënë pavarësisht se është i kënaqur që unë kam fituar zgjedhjet ka menduar dhe për ata anëtarë që janë të pakënaqur që unë kam fituar zgjedhjet. Duke qenë se janë pakica, për herë të parë është bërë me pakicën. Kështu që nuk besoj se ka efekt më të madh të reformës. Kur u arrit dhe depolitizimi i Skënder Gjinushit e ardhmja është e sigurt."
