Vranë shokun me shishe duke pirë, dhëndri i ish-kryebashkiakut Elbasan dhe 3 të tjerë shkojnë për gjykim


Prokuroria e Elbasanit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen për vrasjen e Florian Lamçes mëngjesin e 30 korrikut të kaluar në Elbasan.

Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini dhe Adriano Hajdari do të përballen me drejtësinë me akuzën e “vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim.

Krimi për të cilin akuzohen ndodhi në një lokal, ku sipas dëshmive në polici tre shokët qëndruan duke konsumuar alkool deri në orët e para të mëngjesit.

Por pas një sherri të momentit, arsyen e të cilit askush nuk e ka zbardhur, ata përfunduan duke u përleshur me sende të forta dhe shishe.

Florian Lamçe mbeti i vdekur në vend.

Gjatë dëshmisë në Polici Sokol Sanxhaktari tha se gjithçka kishte ndodhur në gjendje të dehur dhe ata nuk ishin në gjendje të kujtonin as shkakun fillestar të sherrit që përfundoi me vrasje.

Ndërsa Amadeus Lamçja dhe Mehmet Muça, miq të Sanxhaktarit janë vënë në akuzë për moskallzim krimi, veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës dhe deklarim të rremë.

Sipas prokurorisë ata tentuan të fshehin krimin përmes prishjes së provave dhe dëshmisë së rremë para policisë

Viktima, Florian Lamçe, i njohur edhe me nofkën “Flor Qorri”, ka qenë i dënuar me 3 vite burg për pengim  të drejtësisë dhe i hetuar për dy plagosje.

Ai është vëllai i Olti Lamçes, i dënuar me 24 vite burg për vrasjen e Almir Canit, pronar i një diskoje, ngjarje e vitit 2012.

Sokol Sanxhaktari, është një personazh i njohur për drejtësinë.

Sanxhaktari është akuzuar se ka kryer një sërë veprash penale, por gjithmonë i ka shpëtuar drejtësisë.