Basha i kërkon ministrit gjerman: Denonconi masakrën zgjedhore sa nuk është vonë. Roth i kërkon të hyjë në parlament
Zgjedhjet e 25 prillit dhe ajo që PD e quan “masakra zgjedhore” kanë qenë objekt diskutimi në takimin që kryetari i PD-së Lulzim Basha pati në takimin me ministrin gjerman për Europën, Michael Roth. Madje Basha kërkoi nga zyrtari I lartë gjerman të denonconte këto sa nuk është vonë.
“I kam kërkuar të denoncojnë masakrën ezgjedhore para se të jetë tepër vonë për demokracinë e Shqipërinë për të mos lënë që e njëjta situatë të ndodhë e Shqipëria të vijojë të jetë e mbushur me drogë e në indekset më të ulëta të luftës kundër korrupisionit dhe krimit të organizuar” tha Basha pas takimit në një prononcim për median.
Nga ana e tij ministri gjerman tha se denoncimet për manipulime duhet të ishin qartësuar nga institucionet përkatëse.
“Të gjitha kritikat që do të adresohen ndaj problematikave të konstatuara në këtë drejtim do të duhej të qartësoheshin dhe do të duhej të bëhej përmes institucioneve që kanë përgjegjësi në këtë kontekst. Ne i besojmë në këtë kontekst vlerësimeve të OSBE/ODIHR nëse këto zgjedhje kanë qenë të ndershme."
Shembulli personal
Basha e Roth bien dakord që e ardhja e Shqipërisë është integrimi në BE por se për këtë rrugë, ministri gjerman i kujton se nuk duhet vetëm puna e qeverisë edhe Partia Demokratike ka rolin e saj të rëndësishëm.
Dhe për këtë sjell dhe shembullin e karrierës së tij politike.
"Jam shumë dakord me Bashën kur thotë se e ardhmja e Shqipërisë është BE e askund tjetër. Që kjo rrugë të jetë e suksesshme nuk varet vetëm nga qeveria por dhe nga parlamenti dhe opozita.
Unë jam në politikë aktiv prej 23 vitesh, dhe prej 8 vitesh në qeveri. Kam qenë sikundërnë opozitë dhe në qeveri aktiv. Të dyja këto element janë të rëndësishëm për një demokraci të gjallë. Në një sistem demokratik nuk jemi armiq por kundërshtarë. Uroj dhe shpresoj që pas debateve të të shkuarës të mund të gjindet një ton konstruktiv dhe një qasje me respekt në marrëdhënien mes qeverisë e opozitës. Parlamenti është vëndi i duhur për të çuar para debatet"
Roth tha se shpreson se më 22 qershor Këshilli i BE-së të mbërrijë në në vendimin e çeljes së negociatave të anëtarësimit dhe zhvillimin e konferencës së parë të anëtarësimit.