"Denigroi PS-në, tejkaloi kompetencat" Raporti përfundimtar i komisionit për shkarkimin e Metës
Ashtu si pritej Komisioni Hetimor ka vendosur të propozojë shkarkimin e Presidentit. Si argument janë bërë 19 deklaratat publike, postimet në rrjetet sociale dhe intervistat e Ilir Metës në media. Tashmë është Konferenca e Kryetarëve që do të saktësojë se kur do të realizohet votimi i raportit në seancë për miratimin e të cilit duhen 94 vota.
"Komisioni i propozon Kuvendit shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës."
19 deklarata publike, 45 postime në rrjetet sociale dhe intervistat në mediat televizive do t’i kushtojnë Ilir Metës postin e Presidentit, të paktën sipas Komisionit Hetimor.
"Nuk ka respektuar të drejtën për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur. Ka shfaqur zgjedhje diskriminuese dhe ka denigruar subjektin garues, PS-në. Presidentit i mungon kompetenca për të përfaqësuar Shqipërinë në marrëdhënien me jashtë.Presidenti nuk mund të caktojë aleancat apo partneritetin strategjik nuk mund të kërkojë apo shpallë aleanca të ndryshme nga ato të parlamentit dhe nuk mund ti kontestojë."
Pas 3 orësh lexim të deklaratave të zbardhura të Kreut të Shtetit nga ana e kryetarit Alket Hyseni, anëtarët i proprozon Kuvendit që të shkarkojë Metën për qëndrimin e tij para dhe gjatë fushatës elektorale.
"Qëndrimet e njëanshme apo të paekuilibruara të Presidentit, veçanërisht ato për nxitje dhune, humbja e rolit të tij si Kreu i Shtetit konsiderohen nga ky Komision si shkelje të rënda të Kushtetutës.Për kryerjen e akteve që përbëjnë shkelje të Kushtetutës Presidenti nuk ka pasur asnjë qëllim të justifikuar."
Pavarësisht se nga socialistët u quajt një sukses raporti përfundimtar, në shumicën e materialit voluminoz ka të transkriptuar intervistat televizive si dhe deklarata publike të Kreut të Shtetit.
Por kjo për mazhoracën dhe deputetët e opozitës nuk përbën insteres pasi të dyja palët janë shprehur të bindur për shkarkimin e Metës që në nisje të punës së tyre.
Partisë Socialiste do t’i duhen 94 vota në Parlament për ta çuar deri në fund vullnetin e saj për shkarkimin e Metës, duke u bërë në këtë mënyrë precedenti i parë në historinë e pluralizmit.
Të hënën Konferenca e Kryetarëve do të marrë vendim nëse raporti do të votohet në 3, 10 apo 17 qershor.
Pas vendimit politik të Parlamentit, fati i Ilir Metës do të jetë në dorën e interpretimit të 7 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Zyra e Presidencës nuk ka preferuar të komentojë vendimin e Komisionit parlamentar, pasi sipas këtij institucioni çdo vendim i tillë nga ky parlament njëpartiak është nul dhe antikushtetues.
