Dëme kolosale nga zjarri në fabrikën e tullave në Maminas, shkak dyshohet një shkëndijë elektrike

Një fabrikë e cila prej kohësh shërbente për prodhimin dhe përpunimin e tullave në Maminas është përfshirë nga flakët pasditen e kësaj të premte. Rreth 120 punëtorë të cilët ndodheshin brenda saj kanë arritur të dalin mënjëherë sapo kanë ndjerë erën e tymit. Dëmi në fabrikë përllogaritet kolosal e ndërsa hetuesit dyshojnë se zjarri ështe provokuar nga një shkendijë elektrike.

Pas më shumë se një orë lufte me zjarrin dhe tymin, forcat e zjarfikëses kanë bërë të mundur normalizimin dhe shuarjen e flakëve në magazinën e cila merret me prodhimin e tullave.

U deshën më shumë se 7 automjete të zjarfikëses të ardhura nga Tirana, Durrësi, Shijaku për të shuar zjarrin, i cili dyshohet të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike.

Të gjithë punëtorët të cilët ndodheshin brenda saj në momentin që sapo panë flakët e para u evakuuan, por njëri prej tyre i identifikuar si Besnik Bojaku 57 vjeç u dërgua në spital si pasojë e problemeve nga tymi.

Burimet bëjnë më dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Adriatik Velaj: Kemi marrë njoftim për një zjarr në fabrikën e tullave në Maminas nga qytetarë dhe duke menduar fabrikë kemi nisur dy automjete që erdhën njëkohësisht me mjetin e Shijakut. Nga ajo që duket me sy për momentin ka goxha dëme materiale.

Ndërkohe shefi i zjarrfikëses së Durrësit tha se fabrika kishte në dispozicion të gjitha mjetet e duhura për parandalimin e zjarrit.

Vladimir Zhupa: Ka dëme në makineri, një fadromë. Por dëmi i shpëtuar është më i madh se dëmi i shkaktuar. Është ndërhyrë me fikësa dore nga punëtorët por ndërhyrja e forcave tona ishte deçizive.

Sipas shefit të ndërhyrjes dëmi i shkaktuar nga zjarri përllogaritet i lartë pasin disa prej makinerive që kanë shërbyer për përpunimin e tullës kanë dalë jashtë përdorimit.

Pas shuarjes së flakëve dhe nomalizimit të situatës hetuesit kanë kryer të gjitha procedurat e nevojshme për të parë se çfarë e shkaktoi zjarrin në fabrikë.