BOOM - Veliaj "show" me premtimet, tregu agro-ushqimor në Farkë, ende legjendë

Në vitin 2019, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj deklaroi se do të hapte një treg agro-ushqimor të shumicës në zonën e Farkës.

Veliaj: Morëm një vendim në Këshillin Bashkiak për ta thyer monopolin e tregut të shumicës që kemi në Kashar. Ne nuk mund të kemi vetëm një monopol, ku çdo katundar, fshatar i yni, duhet të paguaje një taksë shumë të lartë që të hyjë te një privat. Bashkia ka vendosur që në Farke, të hapim një treg agro-ushqimor të shumicës, për t’i thënë njerëzve që keni 2 mundësi, atë të shtetit dhe atë të privatit. Dhe siç ndodh me Bashkinë e Tiranes, ne e bëjmë me mire dhe më lirë atë punë që e bën privati shumë më shtrenjtë.

Emisioni BOOM bëri një vëzhgim në Farkë dhe tregu nuk është ndërtuar akoma.

Ndërkohë banorët atje shprehen se treg nuk ka dhe se shkojnë në Sauk për të blerë ushqime, por theksojnë se cimet janë të shtrenjta.

Banorët: Nuk ka treg këtu. Detyrohemi të shkojmë deri poshtë në Sauk për të blerë ushqimet. Këtu çmimet janë shtrenjtë dhe mezi i përballojmë. Po të kishte treg as ne s’do torturoheshim t’i blinim ushqimet larg, se ka dhe kosto transporti përveç mundimit.

BOOM filmoi disa tregtarë që i prodhojnë vetë frutat-perimet, por ata janë te detyruar t’i shesin në rrugë në mungesë të një tregu.

Sipas tyre nuk kanë ku t'i shesin tjetër produktet e tyre dhe se për shkak të zhvendosjeve të shumta, kanë kosto në transport.

Tregtarët: Nuk ka treg ku të shesim produktet tona. Zhvendosemi kudo në rrugët e kryeqytetit. Torturohemi për t’i mbjellë dhe në fund s’ia marrim fitimin. Na kushton shumë edhe transporti. Detyrohemi t’i shesim me çmim të ulët duke qenë se jemi në rrugë dhe qytetarët bëjnë naze.