Shqipëria, anëtare e Këshillit të Sigurimit OKB-së, Xhaçka hap aplikimet për "ekipin e ëndrrave"

Pas 65 vitesh si anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Shqipëria pritet të marrë më 11 qershor një mision të rëndësishëm duke u zgjedhur anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për vitin 2022-2023.

Lajmin e mirë e njoftoi Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka.

Ministrja e cilësoi moment historik marrjen e këtij misioni teksa u shpreh se realizimi i tij është një sfidë e madhe për Shqipërinë.

Shefja e diplomacisë, Olta Xhaçka, u bëri thirrje shqiptarëve që të aplikojnë në faqen zyrtare të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për t`u bërë pjesë e ekipit të Shqipërisë më Këshillin e Sigurimit.

“Kemi vendosur që t’u drejtojmë një thirrje të hapur të gjithë shqiptarëve, kudo që janë, që të bashkëpunojnë me ne për realizimin me sukses të këtij misioni historik. Ne duam që Shqipëria të prezantohet në Këshillin e Sigurimit me Dream Team, Ekipin e saj të Ëndrrave. Një ekip, ku do të ketë një ndërthurje të diplomatëve më të mirë e më me shumë përvojë të shërbimit tonë diplomatik dhe të ekspertëve e profesionistëve më të mirë nga çdo vend ku jetojnë e punojnë shqiptarë. Prandaj, dua t’ju bëj sot një thirrje të gjithë atyre djemve e vajzave, burrave e grave, që me shumë punë e mund kanë arritur të ndërtojnë karriera të suksesshme, të gjithë profesionistëve të talentuar, që aplikojnë për tú bërë pjesë e Ekipit tonë në Këshllin e Sigurimit”, u shpreh ajo në video-mesazhin drejtuar qytetarëve shqiptarë.