Nuk justifikoi dot 70 mijë euro hua dhe një makinë, shkarkohet gjyqtari i Apelit Durrës, Desart Avdulaj

Gjyqtari i Apelit në Durrës, Desart Avdulaj, nuk ka arritur të kalojë procesin e vettingut, ndërsa KPK vendosi shkarkimin e tij nga detyra për mos justifikim të pasurisë.

Nga hetimet e kryera nga komisioni, Avdulaj nuk justifikonte dot një hua prej 70 mijë eurosh të marrë nga 4 të afërmit e tij për blerjen e një apartamenti.

Ai dyshohet se ka fshehur dhe pronësinë e një makine që ja ka blerë i vëllai në vitin 2015, kohë kur ai ka qenë student në Pragë.

Në seancë dëgjimore këtë të mërkurë doli dhe prokurorja e Lushnjes, Natasha Prifti. Ajo rezultoi gjithashtu me probleme në deklarimin e pasurisë, gjë që e pranoi dhe vetë.

Dyshime janë hedhur së shumti tek të ardhurat e bashkëshortit dhe biznesit të tij.

Në vitin 2013, i shoqi deklaroi për herë të parë pasurinë prej 4 mln lekësh nga aktiviteti i tij.

Ndër vite prokurorja dhe bashkëshorti i saj deklarojnë shitje dhe blerje të shpeshta të automjeteve, nga e cila kanë nxjerrë një pjesë fitimi.

Prifti tha se shitblerja e tyre nuk është regjistruar si biznes ndërsa komisioni ka konstatuar se për disa prej makinave nuk justifikohet burimi i të ardhurave.

Emri i prokurores del dhe në një çështje të publikuar dhe nga një emision investigativ në lidhje me një aksident ku një motor u përplas me një makinë policie me pasojë vdekjen e motoçiklistit.

Sipas denoncimit të bërë, hetimi i prokurores u bazua vetëm nga akt-ekspertimet duke nxjerrë fajtor viktimën dhe duke mbyllur çështjen.