"Reforma” në HEC-e që lë familje pa bukë, punonjësit e kompanisë turke kërcënojnë me grevë urie
Shkurtimi i punonjësve në HEC-et e Ulzës e Shkopetit nga kompania turke që i menaxhon po kundërshtohet me protesta para dy Hidrocentraleve. Punonjës e përfaqësues të sindikatës e cilësojnë atë një reformë që lë pa bukë familje, ndaj kërkojnë tërheqjen e vendimit.
Punonjësit e Hidrocentraleve të Ulzës dhe Shkopetit dolën për herë të dytë në protestë kundër shkurtimeve që ka ndërmarrë kompania private.
"Shkarkohen 35 nga 43 që jemi."
Me pankarta e thirrje kërkuan tërheqjen e vendimit që sipas tyre lë 35 punonjës e pa punë e familjet e tyre pa bukë.
"Më mirë rrimë këtu sesa në shtëpi me ngordh për bukë."
"Unë jam vetë i 7-ti, tre fëmijë i kam në shkollë, si ka mundësi të bëjë shkurtime?"
Në vazhdimësi thonë se kanë kërkuar negociata me përfaqësuesit e firmës turke, por denoncojnë se janë kërcënuar.
"E ka mbushur me policë nga Skuraj dhe deri këtu. Edhe në kohën e Xhevdet Mustafës nuk kanë ardhur aq forca policie."
"U ka bërë presion punëtorëve të tjerë që mos të dalin në protestë."
Kanë kërkuar edhe reagimin e institicioneve të Shtetit, por sipas tyre askush nuk është interesuar.
Ndaj krahas protestave që thonë se do të jenë të vazhdueshme paralajmërojnë se hapi i radhës do të jetë greva e urisë.
"Ne do të vazhdojmë grevën deri në arritje të marrëveshjes me ta."
Në mbështetje deri tani kanë vetëm familjarët, banorët e zonës dhe Sindikatën e Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë.
Kërkojnë anulimin e asaj që kompania që menaxhon Hidrocentralet thonë se ua ka paraqitur si reformë.
"Kurum të ulet këmbëkryq me ne dhe të anulojë reformën."
Protesta u monitorua nga forcat policore, sikurse nga forca të shtuara të sigurisë private që ruajnë Hidrocentralet, çka u lexua si kërcënim nga ana e punonjësve të HEC-eve që megjithatë thonë se nuk do të ndalen.

