Shembet pallati 5 katësh në Kombinat, banori: Lista e përfituesve ka dalë prej dy muajsh por familja ime nuk figuron

Në zonën e Kombinatit prej disa kohësh tahmë po kryhet shembja e pallateve të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit.  I radhës ishte një 5 katësh, për të cilin këtë të martë nuk pati rezistencë, por një prej banorëve pretendon se me të padrejtë nuk është shpallur përfitues.

Në orën 09:00 të mëngjesit të së martës, 26 maj, fadroma e Bashkisë mbërriti në pallatin 5 katësh në Kombinat.

Banorët ishin larguar nga banesat, duke e lënë godinën të braktisur.

Ky është një ndër rreth 60 godinat që do të shemben në zonën e Kombinatit, pasi tërmei i nëntorit të 2019 u shkaktoi dëmtime të nivelit DS4.

Vetëm një prej pronarëve kishte ardhur për të parë shembjen.

"Jemi shumë të shqetësuar, shumë të rënë moralisht. Këto u klasifikuan DS3 në fillim dhe më pas me akt-ekspertizën e thelluar u tha se ky pallat duhet të shembet".

Megjithëse kishte përfituar bonusin e qirasë,  ai shpreh shqetësimin se nuk figuron te lista e përfituesve për banesë.

"Lista ka më shumë se dy muaj që ka dalë por emri i familjes time nuk ka dalë.Kemi shkuar disa herë te njësia dhe nuk kemi marrë përgjigjen e duhur, thonë që do të kalojë."

Në lidhje me shembjet që bashkia e Tiranës po bën në zonën e Kombinatit ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta.

Përmes një statusi në rrjetet sociale ai thotë se procesi është i parregullt.

“I keqardhur nga çfarë po ndodh në Zall Herr dhe në zonën e "Kombinatit" në Tiranë, ku sipas të dhënave të bëra publike, Qeveria dhe Bashkia Tiranë, dhunshëm, në mënyrë jo transparente dhe përmes një procesi, që duket i parregullt, kanë nisur të ndërhyjnë me shembje dhe shkatërrim mbi pronat e qytetarëve me pretendimin e ndërtimit të zonave të reja zhvillimi”, shkruan Meta.

Të hënën pritet të ketë shembje të tjera të godinave në zonën e Kombinatit.