Ndërtimi i ujësjellësit mbi kanion,nesër përballja në gjykatë e 123 banorëve me bashkinë e Kuçovës
Gjykata Administrative e Vlorës, do zhvillojë nesër seancën për sigurimin e padisë të 123 banorëve të fshatit Lumas, që kundërshtojnë një tender të bashkisë së Kuçovës, për ndërtimin e një ujësjellësi në kanionin e lumit Sinec.
Ky tender është fituar nga kompania “Salillari”, ndërsa tashmë çështja për shqyrtimin e ligjshmërisë së lejimit të kryerjes së punimeve në kanionin e lumit Sineç, do shqyrtohet nesër nga gjyqtari, Bevis Shehaj.
Pritet që nesër ky gjyqtar, të marrë një vendim për pranimin ose jo të kërkesë padisë së dorëzuar nga 123 banorët e fshatit Lumas, të cilët protestojnë për mbrojtjen e kanionit të Sinecit, i cili me vendim të Këshillit të Ministrave është shpallur monument natyror.
123 banorë të fshatit Lumas, kanë firmosur një padi-civile, duke kërkuar nga gjykata Administrative në Vlorë, që deklarojë pavlefshmërinë absolute të vendimin për lejimin e ndërtimeve të ujësjellësit, në kanionin e Lumit Sinec në Kuçovë.
Veç kësaj padie civile, mësohet se 123 banorët e fshatit Lumas, kanë paraqitur në prokurorinë e Posaçme SPAK, një kallëzim penal për “Shpërdorim detyre”, kundër kryetarit të bashkisë së Kuçovës Kreshnik Hajdari.
Njëherësh kallëzim penal në prokurori dhe SHÇBA, banorët i kanë bërë dhe shefit të Komisariatit Kuçovë, Geron Seitllari, duke e akuzuar këtë të fundit për Shpërdorim detyre dhe “Ushtrim Dhune”, ndaj banorëve që protestonin kundër ndërtimit të punimeve në kanionin e lumit Sinec. Sipas banorëve të zonës, kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, ka miratuar lejë ndërtimi të një ujësjellësi, në Kanionin e Lumit Sinec, që sipas tyre është zonë e mbrojtur dhe shpallur monument Natyre me vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2002, për shpalljen si zonë e mbrojtur dhe monuiment natyre.
Në këtë zonë është dhe një burim uji, i cili është pjesë e këtij monumenti natyror. “…bashkinë Kuçovë nëpërmjet kryetarit të bashkisë Kreshnik Hajdari, ka nxjerrë një leje ndërtimi dhe pikërisht leja Infrastrukture e datës Tetor 2020, e cila do të ndërtohet në Kanionin e Lumit Sinec,e cila është zonë e Mbrojtur dhe shpallur Monument Natyre…”-thuhet në padinë civile.

