Basha: Ka vetëm një objektiv, rrëzimi i Edi Ramës. Mesazh kandidatëve për kryetar të PD

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka takuar ditën e sotme, 26 maj demokratët e Korçës, Maliqit dhe Pogradecit. 

Në fjalën e tij zoti Basha theksoi se beteja duhet të vazhdojë deri në arritjen e stacionit final që është rrëzimi i këtij regjimi dhe Edi Ramës.

"Unë kërkoj që së bashku ta vazhdojmë këtë betejë deri në arritjen e stacionit final që është rrëzimi i këtij regjimi, sepse për mua ka vetëm një kundërshtar, një dhe vetëm një objektiv që duhet rrëzuar një orë e më për dhe ky është Edi Rama i cili qartësisht nuk do që ne ta vazhdojmë këtë betejë. Së bashku do ta çojmë atë deri në fund, por ky është një vendim të cilin nuk e merr dot ai, ky është një vendim që u takon ju. Nuk është një vendim i parëndësishëm. Hapi i parë pas betejës së 25 prillit, drejt betejës që na pret është 13 qershori. Për t’i treguar atij se demokratët janë në këmbë," tha Basha.

Zoti Basha u shpreh se nga kjo betejë të gjithë demokratët duhet të dalin të bashkuar.  Basha shprehet se shqiptarët i kanë në dorët ë gjitha mjetet për ta rrëzuar një orë e më parë këtë regjim.

"Në qoftë se jemi të gatshëm të ndreqim gabimet dhe gjërat brenda nesh që i kemi në dorë t’i ndreqim, nëse nga kjo garë dalim të bashkuar që është dhe duhet të mbetet qëllim në vetvete i çdo demokrati të vërtetë që vendos interes të kësaj partie si instrument i vetëm i ndryshimit dhe i shpresës për Shqipërinë, pra dhe interesat e Shqipërisë të parat atëherë ju garantoj që i kemi akoma në dorë të gjitha mjetet që i ngritën peshë shqiptarët për ndryshim, i kemi në dorë akoma të gjitha mjetet për ta rrëzuar një orë e më parë këtë regjim," u shpreh Basha.

Ai tha se do të investohet që gara të jetë e drejtë ndërsa kishte një mesazh për kandidatët e tjerë.

"Askush nuk ka të drejtë për kurrfarë arsyeje te hedhë poshtë atë që kemi ndërtuar së bashku deri më sot. Askush! As unë, as kandidatët e tjerë dhe askush. Qejfmbetur apo jo,  me të drejtë apo jo, nuk mund të hedhë poshtë sakrificën e qindra, mijëra demokratëve të Devollit dhe të  Korçës dhe të gjithë Shqipërisë. Ne duhet të ndërtojmë mbi këtë sakrificë duke mësuar edhe nga ato gabime, duke ndrequr çfarë kemi në dorë të ndreqim, por jo duke rrëzuar atë që kemi ngritur vetëm me fuqinë e shpirtit tonë."