Rama: Nesër mblidhet komiteti për lehtësimin e masave kufizuese

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi lehtësimin e masave kufizuese të pandemisë në mbledhjen më të afërt të komitetit teknik të ekspertëve.

"Nesër Komiteti do të dalë me planin e ri, me lehtësim të mëtejshmë të masave," u shpreh Rama.

Gjatë vizitës në qendrën e vaksinimit ku filloi injektimi i dozave të prodhimit rus Sputnik për 5500 punonjës të transportit, Rama theksoi se procesi i vaksinimit do të vazhdojë me qëllim që këtë vit, Shqipëria të ketë një sezon të hapur e normal turistik.

"Ambicia jonë për të pasur një sezon turistik shumë më të lehtësuar se sa ai i vitit të kaluar besoj që do të përmbushet," tha Rama.

Rama u pyet nga mediet për herë të parë në lidhje me vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen "non grata" të ish kreut të PD Sali Berisha, por nuk preferoi të komentojë duke paralajmëruar se së shpejti do të prezantojë planin qeverisës për mandatin e tretë.

"Unë jam 100% i fokusuar te punët, ne nuk e kemi ndalur punën asnjë ditë gjatë dhe pas fushatës sepse nuk ka kohë për pushim dhe nga ana tjetër unë jam shumë i vendosur që të çelim një rrugë të re në aspektin e komunikimit publik," tha Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se ecuria e procesit të vaksinimit dhe rindërtimi janë dy prioritete në të cilat puna do të vazhdojë çdo ditë me intensitet.