Meta ndjek me shqetësim shembjet në Kombinat: Rama e Veliaj të tërhiqen menjëherë nga çdo procedurë antikushtetuese

Presidenti Ilir Meta po ndjek me shqetësim shembjet që po ndodhin në zonën e Zall Herrit dhe në zonën e “Kombinatit” në Tiranë.

“I keqardhur nga çfarë po ndodh në Zall Herr dhe në zonën e "Kombinatit" në Tiranë, ku sipas të dhënave të bëra publike, Qeveria dhe Bashkia Tiranë, dhunshëm, në mënyrë jo transparente dhe përmes një procesi, që duket i parregullt, kanë nisur të ndërhyjnë me shembje dhe shkatërrim mbi pronat e qytetarëve me pretendimin e ndërtimit të zonave të reja zhvillimi."

"Pronarët dhe mbajtësit e të drejtave reale pronësore kanë bërë të ditur se nuk janë njoftuar nga autoritetet se çfarë fati i pret pasuritë e tyre dhe se si ata do të trajtohen nga shteti."

“Mjafton vetëm ky fakt për të provuar se ka shkelje të ligjit për konsultimin publik, ndërkohë që ndërhyrja me forcë mbi jetën dhe të ardhmen e shumë familjeve ka krijuar një situatë të pasigurt ligjore dhe një tension social të panevojshëm."

Përmes një postimi në facebook presidenti i kërkon Qeverisë dhe Bashkisë Tiranë, të tërhiqen menjëherë nga çdo përpjekje dhe procedurë antikushtetuese dhe të garantojnë një zgjidhje të drejtë dhe objektive, për garantimin e pronës private të çdo qytetari.

‘U bëj thirrje Qeverisë dhe Bashkisë Tiranë, të tërhiqen menjëherë nga çdo përpjekje dhe procedurë antikushtetuese dhe të garantojnë një zgjidhje të drejtë dhe objektive, për garantimin e pronës private të çdo qytetari, siç Kushtetuta e parashikon në nenin 41 të saj, si dhe respektimin e të gjithë të drejtave të tjera të mbrojtura nga Kushtetuta dhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.

Çdo qytetar, mbajtës i një të drejte pronësie apo i cili ka krijuar një pritshmëri legjitime meriton të trajtohet me dinjitet dhe shteti ka për detyrë t'i mbrojë dhe të respektojë të drejtat e tij.

Më tej kreu i shtetit kërkon transparencë

"Të gjitha veprimet dhe aktet e administratës qendrore apo vendore duhet të udhëhiqen vetëm nga ligjshmëria dhe transparenca.  Ligji është i barabartë për të gjithë."