Rinumërohen 108 kuti të Durrësit, Kaziaj i LSI-së : Nuk kemi besim tek KAS, por jemi të detyruar
Pas dështimit me Beratin, LSI kërkon ndryshimin e rezultatit në qarkun e Durrësit, pasi 136 vota i ndan nga mandati i parë.
Partia e Monika e Kryemadhit pretendon se në 108 kutitë e votimit të cilat por rinumërohen në KQZ ka vota të cilat është favorizuar Partia Socialiste.
"Nga kontestimet e bëra në tavolinën e numërimit nga ana e vëzhguesve tanë kanë dalë problematika të theksuara. Marrja e mandatit të LSI është bërë vetëm për 136 vota," tha Kaziaj.
Edhe pse është numëruar gjysma e kutive, rezultati është i papërfillshëm për t’i rrezikuar PS mandatin e 8. Por sipas përfaqësuesit të LSI në KQZ Altin Kaziaj, rinumërimi është një procedurë që duhet të kryhet pavarësisht mosbesimit tek KAS.
"Fakti është që ne kemi pasur kundërshtime lidhur me vlerësimin e votës të bërë nga KAS për shkak se në vendimmarrjen e tyre ata kanë vlerësuar me 3 vota nga 5 dhe kanë qenë të dyshimta vendimmarrjet e tyre," tha ai.
Të gjitha vendimet e KAS opozita do t’i ankimojë në Kolegj Zgjedhor për të marrë një përgjigje përfundimtare nëse në 25 prill ka patur shkelje dhe parregullsi me kutitë e votimit apo jo.
"Nuk ka një ankim të mëtejshëm kundër vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Duam ta pranojmë apo s'duam ta pranojmë nuk kemi mundësi për të shkuar më tej," tha ai.
Koalicioni PD-AN në Durrës është ndarë me 6 deputetë, ndërsa PS me 8 mandate, duke e lënë LSI pa asnjë deputet në këtë qark.
