Të ndalet ndërtimi i ujësjellësit mbi kanion, 123 banorë padisin në SPAK e gjykatë kryetarin e bashkisë së Kuçovës

Konflikti i lindur për ndërtimin e një ujësjellësi mes banorëve të fshatit Lumas dhe Bashkisë së Kuçovës, ka çuar në gjykatë Kryetarin e Bashkisë, Kreshnik Hajdari.

 “Ora News”, mëson se plot 123 banorë të fshatit Lumas, kanë firmosur një padi-civile, duke kërkuar nga gjykata Administrative në Vlorë, që deklarojë pavlefshmërinë absolute të vendimin për lejimin e ndërtimeve të ujësjellësit, në kanionin e Lumit Sinec në Kuçovë.

Veç kësaj padie civile, mësohet se 123 banorët e fshatit Lumas, kanë paraqitur në prokurorinë e Posaçme SPAK dhe një kallëzim penal për “Shpërdorim detyre”, kundër kryetarit të bashkisë së Kuçovës Kreshnik Hajdari.

Njëherësh kallëzim penal në prokurori dhe SHÇBA, banorët i kanë bërë dhe shefit të Komisariatit Kuçovë, Geron Seitllari, duke e akuzuar këtë të fundit për Shpërdorim detyre dhe “Ushtrim Dhune”, ndaj banorëve që protestonin kundër ndërtimit të punimeve në kanionin e lumit Sinec.

Njëherësh 123 banorët e fshatit Lumas në Kuçovë, i kanë kërkuar gjykatës Administrative në Vlorë, që të marë masën e sigurimit të padisë, me qëllim pezullimin e menjëhershëm të punimeve të kompanisë ndërtuese, “Salillari”.

Gjykata Administrative e Vlorës, ende nuk ka çelur një datë konkrete për zhvillimin e seancës për caktimin e masës së sigurisë, por pritet që në fillim të javës, të zhvillohet përballje e parë ligjore mes 123 banorëve dhe bashkisë së Kuçovës.

Sipas banorëve të zonës, kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, ka miratuar lejë ndërtimi të një ujësjellësi, në Kanionin e Lumit Sinec, që sipas tyre është zonë e mbrojtur dhe shpallur  monument Natyre me vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2002, për shpalljen si zonë e mbrojtur dhe monuiment natyre.

Në këtë zonë është dhe një burim uji, i cili është pjesë e këtij monumenti natyror. “…bashkinë Kuçovë nëpërmjet kryetarit të bashkisë Kreshnik Hajdari, ka nxjerrë një leje ndërtimi dhe pikërisht leja Infrastrukture e datës Tetor 2020, e cila do të ndërtohet në Kanionin e Lumit Sinec,e cila është zonë e Mbrojtur dhe shpallur Monument Natyre…”-thuhet në padinë civile.

Më tej në kërkesë padi nënvizohet se:”…ndërtimit të këtij ujësjellësi, kalon limitet e një krimi pasi në Lumas, Pëllumbas, Shqezë, Vodez, Bardhaj, janë ndërtuar 4 ujësjellësa dhe kjo zonë nuk ka nevojë për ujë ashtu siç pretendon bashkia që ka konkluduar në dhënien e Lejes së ndërtimit…”. Prej mëse 10 ditësh banorët kësaj zone protestojnë kundër ndërtimit të ujësjellësit, me argumentin se tenderi i bashkisë së Kuçovës me vlerë 361 milion lekë të reja, është një aferë korruptive e kryebashkiakut Hajdari.