Dy të rinj arrestohen në Tiranë, akuzohen se u vidhnin të dhënat e kartave bankare shqiptarëve dhe të huajve

Dy të rinj janë arrestuar si dhe janë proceduar penalisht 5 të tjerë, mes tyre dhe të huaj, pasi akuzohen  për vjedhje dhe përdorim të të dhënave të kartave bankare.

Të arrestuarit janë Qirjako Topi, 21 vjeç dhe Irgen Basha, 18 vjeç.

Operacioni u kodua “Smartphone” dhe sipas policisë dy të rinjtë në bashkëpunim me të tjerët që ndodheshin në shumë vende të botës përmes mashtrimit kompjuterik u vidhnin të dhënat e kartave bankare kryesisht atyre që blinin online.

Indicia

Policia nisi hetimet pasi mori kallëzimin nga një kompani e telefonisë së lëvizshme për një mashtrim kompjuterik.

Policia zbardh dhe skemën.

“Pas kryerjes së hetimeve nga Njësia për  Hetimin e  Krimeve Kibernetike ka rezultuar se një shtetas, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë përdorur të dhëna kartash bankare të cilat dyshohet se janë vjedhur nga shtetas të ndryshëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim për të përfituar financiarisht duke blerë pajisje të telefonisë së lëvizshme” informoi sot policia e shtetit.

Dëmi miliona lekë

Dëmi momental është 33 milionë lekë, por dyshohet se këto shifra janë shumë më të mëdha.

“Nga materialet e deritanishme ka rezultuar se vetëm në një kompani këta shtetas kanë kryer një dëm prej rreth 33.000.000 lekësh, ndërkohë dyshimet janë se dëme të konsiderueshme kanë dhe kompani të tjera të cilat shesin produkte në rrjet (online) dhe për këtë fakt hetimet janë në vazhdim“ informon policia.

Prangat

Qirjako Topi, 21 vjeç është arrestuar në flagrancë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”. Mësohet se ai u prangos teksa po merrte në dorëzim pajisje telefonike të blera me kartat e vjedhura, ndërkohë që më pas u arrestua edhe bashkëpunëtori i tij.

Irgen Basha, 18 vjeç u ndalua pasi dyshohet si bashkëpunëtor për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik“.

Bashkëpunëtorët


Veprimet hetimore vazhduan dhe në lidhje me persona të cilët kanë furnizuar apo kanë bashkëpunuar për sigurimin e të dhënave të kartave bankare, nga ku rezultoi se këta shtetas kanë bashkëpunuar dhe me 5 shtetas të tjerë, dy prej tyre të huaj.

Sipas policisë dy të rinjtë e ndaluar kanë bashkëpunuar me E. H., 21 vjeç, E. Sh., 19 vjeç, Dh. T., 23 vjeç, M. M.,  33 vjeç (shtetas i huaj) dhe S. S, 26 vjeç (shtetas i huaj). Të  pestë këta shtetas po procedohen penalisht, pasi dyshohen si bashkëpunëtorë për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Kontrolli

Gjithashtu, nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier u kontrolluan disa banesa dhe ambiente dhe me cilësinë e provës materiale u sekuestruan telefona celular, laptopë dhe dokumente, fatura të ndryshme bankare etj. 

 Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal.

 Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.