"Shtëpi" bari në Fier, parcelë në Mat
Një shtëpi e braktisur në fshatin Kreshpan të Fierit ishte përshtatur nga dy të rinj për kultivimin e bimëve narkotike.
Eduart Yzeiraj 37 vjeç dhe Xhulio Troka, 27 vjeç, kishin mbjellë aty në kubikë fidanë Kanabis Sativa, por Numri i bimëve nuk bëhet i ditur nga policia Fierit.
Në këtë veprimtari, ata janë ndihmuar edhe nga Gentian Yzeiraj 21 vjecari i cili duket se kishte rolin e rojes.
Sipas Policisë ai ishte duke monitoruar zonën në momentin që vjen policia dhe sa sapo pikasi policinë, ka ndihmuar Xhulio Trokën të largohej nga vendi i ngjarjes me automjetin e tij.
Por tentativa rezultoi e dështuar pasi të tre të rinjtë përfunduan në pranga dhe nën akuzë për kultivim të bimëve narkotike dhe "Përkrahja e autorit të krimit."
37 vjeçari Eduart Yzeiraj ndërkohë rezulton se ishte person në kërkim nga Policia e Fierit për kultivim të bimëve narkotike.
"Shtepi bari"
Shtëpitë e ashtuquajtura të barit, po konfirmohen si trendi i ri i kultivimit të bimëve narkotike në vend, por paralelisht vijojnë tentativat edhe në zonat e pyllëzuara!
Një 30 vjecar nga Kruja e kishte nisur kultivimin e kanabisit bashkë me persona të tjerë në malet e Matit.
Jetmir Kolaveri u vu në pranga, ndërsa tre persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Pak ditë më parë, 25 vjecari Greseld Shpataraku, u plagos nga forcat e Policisë së Shtetit pasi mbrojti me armë parcelën e kanabisit që kishte nisur të kultivonte në një zonë të pyllëzuar në fshatin Gjorgjoz të Fierit.
