Mutacioni i covid-19/ Nuk kemi asnjë rast me variantin indian, bien rastet e reja
Vdekja e një pesoni nga Elbasani, si pasojë e infektimit me mutacionin Indian të koronavirusit, është hedhur poshtë nga zyrtarë të shëndetësisë në këtë qytet.
"Unë nuk kam asnjë njoftim zyrtar në lidhje me këtë mutacion indian. Dje në media u hap një lajm i tillë, i cili për mua mbetet një lajm i rremë dhe nuk kam indicie për këtë mutacion."
Autoritetet në Elbasan pohojnë gjithashtu se prej disa ditësh kanë parë një qetësim të madh të situatës pandemike në nivel qarku.
"Situata pandemike është qetësuar shumë, është situatë e kontrollueshme. Numrat dhe shifrat janë në rënie dhe kemi pasur ditë të tëra që personat e testuar për tampon shifrat kanë qenë zero pozitive."
Edhe në Vlorë, situata e infektimeve me koronavirus duket se ka një trend mjaft pozitiv në ulje.
Sipas ekspertëve të Shëndetit Publik në qytetin bregdetar, me ardhjen e kontigjenteve të reja të vaksinave fokusi tanimë është drejt hoteleri-turizmit.
"Fokusi është të bëjmë sa më shumë nga kontigjenti i operatorëve turistikë, pasi sezoni veror këtë kontigjent e ekspozon ndaj popullatës."
Që nga nisja e Pandemisë 14 muaj më parë, në Vlorë kanë humbur jetën 127 persona ndërsa në Elbasan 251 të tjerë.

